“Autoriteti i Dosjeve do mbajë përgjegjësi penale”
Ilir Meta doli sërish përpara gazetarëve duke konfirmuar pastërtinë e tij lidhur me të dhënat që disponon Autoriteti i Dosjeve se është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
“Autoriteti i Dosjeve e di që Ilir Rexhep Metaj nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Ato të dosjeve e dinë shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori, pasi ndodhet në dy dosje. Ata që e kanë orkestruar këtë skenar e dinë që Ilir Meta s’ka jetuar në konvikt dhe nuk ka spiunuar asnjë shok konviktor.”
Tha se nuk ekziston asnjë dosje në adresë të tij, duke i cilësuar shpifje akuzat e ngritura nga Autoriteti i Dosjeve.
“Jam 1 mln për qind i pastër. Banda që bëri Griseldën me barrë nuk e kanë problem të bëjë shpifje të tilla. U bë tre ditë që nuk i japin dosjen atij që të shikojë vërtetë kush e ka spiunuar, megjithëse ai e di shumë mirë”.
Konfirmoi se është verifikuar që nga viti ‘96, teksa paralajmëroi Autoritetin e Dosjeve se do të mbajë përgjegjësi ligjore për shpifjen ndaj tij.
“Do të mbajnë përgjegjësi ligjore.. Jam verifikuar që në vitin 1996 kur ishte i madhërishmi Berisha. Unë e di shumë mirë kush e ka bërë këtë intrigë. Pikërisht sepse ka lindur një force e re politike, Partia e Lirisë. “
Nuk i trembet asnjë nisme ligjore të ndërmarrë nga shumica, por e ftoi këtë të fundit që ta hetojë që nga vegjëlia.
“Ta ndryshojnë ligjin si të duan. Të bëjnë një ligj të posaçëm për të hapur dokumentet për Ilir Metën që nga çerdhja”.
Sipas Metës, loja me ish-spiunë bëhet për t’i mbyllur gojën opozitës e cila çdo ditë denoncon aferat e qeverisë.
Tv Klan