Edhe pse komuniteti mysliman është komuniteti i dytë më i madh në vendin tonë, ata janë injoruar në mënyrë absolute nga Presidentja Gordana Siljanivska Davkova por edhe Kabineti i saj, të cilët nuk gjetën kohë as ditën e djeshme por as sot për të uruar Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Në heshtje dhe duke mos i uruar besimtarët për këtë muaj të shenjtë ka kaluar edhe kabineti por edhe Kryeministri Hristijan Mickoski i cili përkundër kësaj ndodhet në Turqi për vizitë zyrtare.
Rrugën e Presidentes dhe Kryeministrit e ka ndjekur edhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili gjithashtu nuk ka uruar besimtarët.
Mitin për mos urimin e besimtarëve e ka thyer kreu i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski i cili për dallim nga Presidentja dhe Kryeministri e të tjerët, ka gjetur kohë për të uruar besimtarët për muajin e shenjtë edhe atë me urim në gjuhën shqipe.
MAKSIM DIMITRIEVSKI
“Të gjithë besimtarëve të përkatësisë fetare Islame ua uroj Muajin e Ramazanit, duke u dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar nga Zoti, mirëqenie, paqe dhe harmoni në familjet e tyre. Le të jetë ky muaj shkak i reflektimit dhe solidarizimit ndërmjet njerëzve”.
Interesante është se edhe ish presidenti, Stevo Pendarovski tashmë ka harruar t`i urojë besimtarët, kurse i njëjti derisa ishte President jo vetëm që uronte por shkonte edhe në iftare edhe atë në familje shqiptare.
Në mesin e qeveritarëve që s’kanë uruar besimtarët është edhe zv. Kryeministri, Ivan Stoilkoviq. /tvklan.mk