Merret për 7 orë në pyetje përgjegjësi i trenave

Do të qëndrojë në paraburgim Vasilis Samaras, përgjegjësi i turnit të stacionit hekurudhor të Larisës, i cili dyshohet si shkaktari kryesor i tragjedisë së 28 Shkurtit ku humbën jetën 57 persona.

59-vjeçari u mor në pyetje për 7 orë nga prokurorët gjatë të Dielës, ndërsa seanca përfundoi rreth mesnatës. Avokati i tij tha se ai parashtroi gjithçka dinte, por theksoi se ai nuk ishte përgjegjësi i vetëm i kësaj tragjedie. Nga hetimet rezulton se ai nuk e kishte vënë re që treni i pasagjerëve udhëtonte në binarin e gabuar, ku përballë i vinte një tjetër tren mallrash.

Mediat greke shkruajnë se sistemi i ndërrimit të binarëve është elektronik në gjithë Greqinë. Por prej disa kohësh, në linjën nga Larisa drejt Selanikut, ndërrimi i shinave kryhej në mënyrë manuale për shkak të një defekti që nuk ishte riparuar. Për të hedhur më shumë dritë se çfarë ka ndodhur atë natë, pritet edhe zbardhja e kutive të zeza të trenit të pasagjerëve, ku do të dëgjohen komunikimet që kanë pasur makinistët dhe përgjegjësi Samaras.

Pas kësaj tragjedie, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen njoftoi përmes Twitter-it se institucioni që ajo drejton do të dërgojë një ekip ekspertësh që do të vlerësojnë gjendjen e hekurudhave greke dhe për nisjen e modernizimit të saj.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share