“DO T`I DORËZOJ DOKUMENTET QË DO TË KËRKOHEN NGA UNË DHE KOMUNA”
Pas heshtjes njëjavore, pas vënies në “listë të zezë” amerikane, Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, u prononcua për opinionin, njofton KlanM.
Përmes rrjeteve sociale ka theksuar se do të bashkëpunojë me institucionet, do t`i dorëzojë dokumentacionet që do të kërkohen nga ai dhe Komuna lidhur me rastet që janë hapur ndaj tij, duke premtuar raport transparent me organet gjyqësore.
“Që nga Presidenti Uillson e deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë dhe bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës. Mbështetjen vijuese amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës e mirëpres dhe e përkrah gjithmonë” – ka shkruar Merko në Facebook duke shpërndarë fotografi me Ambasadoren amerikane Anxhela Aggeler.
Kryebashkiaku i Strugës, sic njofton KlanM, shkruan se gjatë periudhës së kaluar ka heshtur në interes të proceseve që zhvillohen kundër tij, por se do të jetë i hapur dhe në anën e drejtësisë.
“Nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime, çdo dokument, do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera” – shkruan Merko në Facebook.
Merko javën e kaluar kishte kërkuar nga partia që të “ngrijë” aktivitetet e tij partiake dhe funksionet, kurse BDI-ja vendosi t`i ndal aktivitetet zgjedhore partiake në Strugë derisa nuk zbardhet i gjithë rasti me Ramiz Merkon.
Ndërkohë, sic njofton KlanM, një komision prej katër anëtarëve nga Prokuroria Publike është duke kryer mbikqyrje në procedurat e lëndëve që lidhen me Kryebashkiakun e Strugës Ramiz Merko në Prokurorinë e Strugës dhe Prokurorinë e Lartë në Manastir. Prokuroria Themelore Publike njoftoi se pas kontrolleve të detajuara, Komisioni do të përgatit një raport.
Për Ramiz Merkon, për momentin, aktive janë 6 procedura në Prokurori, kurse viteve të kaluara janë zhvilluar procedura tjera që janë dorëzuar nga subjekte dhe institucione të ndryshme.
Departamenti Amerikan i Shtetit, sic percjell KlanM, njoftoi se Merko, derisa ka kryer funksionin Kryebashkiak i Strugës, “ka përvetësuar fonde dhe është implikuar në proceset gjyqësore, duke i shkaktuar dëm besimit të opinionin në institucionet demokratike dhe funksionarët në Maqedoninw e Veriut”
Koordinatori për Antikorrupsion në DASH, Riçard Nefju, tha se vënia në listën e sanksioneve, ka për qëllim demostrimin e mbështjes së SHBA-ve për sundimin e së drejtës dhe përpjekjet për luftë kundër korrupsionit në gjithë botën.
Sanksionet e SHBA-së kanë të bëjnë edhe me bashkëshorten dhe tre fëmijët e Ramiz Merkos. /KlanMacedonia/