Memorandumi për Izraelin/ Zyrtarët amerikanë thirrje Blinkenit: Pezulloni furnizimin e Izraelit në armë

MEMORANDUMI PER IZRAELIN

Disa zyrtarë të lartë amerikanë kanë këshilluar sekretarin e shtetit Antony Blinken se nuk e shohin si të besueshme garancitë e Izraelit se po përdor armë të furnizuara nga SHBA në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Në një memo të brendshme, të zbuluar nga mediat ndërkombëtare, zyrtarët amerikanë mes tyre përmendin plot 11 raste, kur veprimet ushtarake izraelite kanë synuar civilët, objektet e kujdesit shëndetësor, etj, që gjithashtu përbëjnë një shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Mes të tjerash në memo thuhet gjithashtu se një ndër shkeljet e mëdha që ushtria izraelite ka kryer që nga nisja e luftimeve është kufizimi në mënyrë arbitrare i ndihmës humanitare përfshirë refuzimin e të gjithë kamionëve.

Ata i bëjnë thirrje sekretarit amerikan Antony Blinken të pezullojë transferimin e armëve amerikane që do të kufizonte aftësinë e Izraelit për të vijuar ofensivën. Paralajmërimet për shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar nga Izraeli të bëra nga disa zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit vijnë pasi Izraeli po zotohet të nisë një ofensivë ushtarake në Rafah pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Uashingtoni. Memo nuk imponon kërkesa të reja ligjore, por i kërkon Departamentit të Shtetit garanci me shkrim nga vendet që marrin armë të financuara nga SHBA se nuk po shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar ose nuk po bllokojnë ndihmën humanitare të SHBA.

Po ashtu në këtë komunikim të brendshëm zyrtarët rekomandojnë që administrata të dorëzonte një raport vjetor në Kongres për të vlerësuar nëse vendet po i përmbahen ligjit ndërkombëtar dhe nuk pengojnë kalimin e ndihmës humanitare. Nëse garancitë e Izraelit vihen në pikëpyetje, Biden mund të pezullojë ose të vendosë kushte për transferimin e armëve amerikane në çdo kohë. Ai deri më tani i ka rezistuar thirrjeve të grupeve të të drejtave, demokratëve dhe grupeve arabo-amerikane për ta bërë këtë. Në fillim të këtij muaji ai kërcënoi për herë të parë se do të vendoste kushte për transferimin e armëve amerikane në Izrael, nëse ai nuk merr hapa konkretë për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza./tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share