Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kërkuar nga Beogradi në krah të presidentit Vuçiç me tepër seriozitet nga institucionet evropiane përsa i përket integrimit të pershpejtuar të shteteve ballkanike.
“Kemi qenë dhe jemi ndër shtetet kryesore të BE-së mbështetëse të përshpejtimit të procesit të zgjerimit me shtetet ballkanike që unë e konsideroj ribashkim të kontinentit. Evropa nuk duhet që të jetë një klub ku dikush vendos se cili shtet është apo jo evropian. Është historia, gjeografia që kanë përcaktuar se kush është evropian ndaj institucioneve evropiane duhet të zhvillojnë një proces serioz sa më shpejt të jetë e mundur për të garantuar këtë ribashkim.”
Italia pret vendime të rëndësishme për zgjerimin në samitin e 14-15 dhjetorit.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik ku ndodhemi Evropa nuk mund ta konsiderojë veten e bashkuar deri kur shtetet e ballkanit perëndimor nuk do të jenë anëtarësuar në familjen evropiane. Këshilli Evropian i mesit të muajit dhjetor është shume i rëndësishëm përsa i përket zgjerimit për të përshpejtuar hyrjen e këtyre shteteve në tregun e përbashket evropian sipas planit të rritjes ekonomike të këtij rajoni. Jo vetëm kaq, por integrimi i shpejtë do të na sjelle ne me tepër siguri në BE.”
Meloni dhe Vuçiç kanë diskutuar edhe për dialogun Prishtinë-Beograd dhe përballimin e flukseve migratore nëpërmjet rrugës ballkanike. Për Vuçiç, Italia ka shfaqur gjithnjë e më shumë një qasje objektive për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë.
Klan News