Meksikë/Hetimi i pavarur hedh poshtë versionin zyrtar nga autoritetet për zjarin e vënë në qendrën e paraburgimit të emigrantëve

Një hetim i pavarur ka hedhur dyshime serioze mbi deklaratat zyrtare lidhur me një zjarr vdekjeprurës në një qendër paraburgimi për emigrantët në Ciudad Juárez, ku humbën jetën dhjetëra persona. Hetuesit nga Lighthouse Reports, në bashkëpunim me La Verdad dhe El Paso Matters, kanë zbuluar prova që sugjerojnë se stafi i qendrës mund të kishte mundësinë të hapte qelitë e të burgosurve, por vendosi të mos e bënte, ose u urdhërua të vepronte ndryshe.

Në bazë të pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë dhe modeleve 3D të qendrës, hetuesit kanë arritur në përfundimin se çelësat e qelive ishin brenda objektit dhe në dispozicion të stafit në momentin e shpërthimit të zjarrit. Ky zbulim sfidon versionin zyrtar që pretendon se stafi nuk kishte qasje te çelësat për të hapur qelitë.

Hetimi ka nxjerrë në dritë edhe mungesën e pajisjeve të sigurisë si zjarrfikëset dhe detektorët e tymit, si dhe kushtet e mjerueshme të mbipopullimit dhe ventilimit të dobët në qendër. Kjo tragjedi ka rritur thirrjet për reforma në sistemin e paraburgimit dhe për një qasje më humane ndaj politikave të migracionit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share