Pas kritikave të liderit të VMRO – DPMN-së rreth mekanizmit të balancuesit, edhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, thotë se, ky mekanizëm nuk po jep më efektin për të cilin ishte vendosur. Por, për dallim nga Hristijan Mickoski, i cili është i mendimit se balancuesi duhet të shfuqizohet tërësisht, Kovaçevski thotë se duhet të sillen ligje, principe dhe mekanizma që ai të mos keqpërdoret. Ai tha se ideja e balancuesit, që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit dhe ka për synim përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve në vend, pas një kohe filloi të keqpërdoret dhe me këtë, u keqpërdor edhe ideja e përfaqësimit të barabartë.
“Ky mekanizëm, balancuesi, që është edhe zgjidhje softuerike e bërë në kohën e VMRO – DPMNE-së filloi të keqpërdoret. Për këtë, ne të gjithë së bashku duhet të gjejmë zgjidhje dhe mënyrë se si më të zellshmit, që i plotësojnë kriteret më të larta për punë jo vetëm në administratën shtetërore, por edhe në institucione të ndryshme do t’i marrin vendet e punës, përmes së cilave do të ofrojnë shërbime më të mira të mundshme për qytetarët” – tha Kovaçevski.
Sa i përket propozimit për ndryshim të modelit zgjedhor të presidentit të shtetit, Kovaçevskit vlerëson se, modeli aktual garanton nivel më të lartë të demokracisë dhe rol më të pavarur të presidentit.
“Zgjedhja e presidentit në zgjedhje të drejtpërdrejta garanton nivel shumë më të lartë të demokracisë, garanton që presidenti të zgjidhet nga të gjithë qytetarët jo nga partitë politike, garanton të ketë rol të pavarur politik, si korrigjues edhe i punës së Kuvendit por edhe të Qeverisë” – Dimitar Kovaçevski, Lider i LSDM-së.
Propozimi për ndryshim të modelit zgjedhor për president të shtetit vjen nga partitë politike shqiptare. Ata propozojnë që në të ardhmen, të ndryshohet Kushtetuta, me çka presidenti të zgjidhet në Kuvend, me argumenti se kjo, do të rriste gjasat që të ketë president edhe nga radhët e etnitetit shqiptar. /tvklan.mk/