Vladimir Putin ka vizituar selitë ushtarake në rajonet jugore Kherson dhe Luhansk lindor, të cilat mbahen pjesërisht nga Rusia, ka thënë Kremlini.
Presidenti rus mori pjesë në një takim të komandës ushtarake në rajonin Kherson për të dëgjuar raporte nga komandantët dhe për të folur me oficerët e tjerë të lartë mbi situatën në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat Moska i ka shpallur pjesë të Rusisë, shkruan Sky News.
Ai vizitoi gjithashtu selinë e Gardës Kombëtare në rajonin e Luhanskut, një pjesë tjetër e Ukrainës të cilën Moska e aneksoi vitin e kaluar.
Kremlini nuk tha se kur Putin mori pjesë në takime apo çfarë komentesh bëri.
Ndryshe, nëntorin e kaluar, trupat ruse u urdhëruan të tërhiqeshin nga qyteti Kherson dhe zonat përreth në jug të Ukrainës.
Komandanti më i lartë i Rusisë në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, kishte thënë se nuk ishte më e mundur të furnizohej qyteti dhe pjesët e tjera të bregut perëndimor të lumit Dnipro ku ato gjendeshin.
Njoftimi shënoi një nga tërheqjet më të rëndësishme të Rusisë dhe një tjetër pengesë poshtëruese për Putinin.
Rajoni i Khersonit u aneksua në shtator, së bashku me tre rajone të tjera të Ukrainës – Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhzhia.