“Më thonin shko te psikiatri”, Meghan: 7 doktorë nuk e zbuluan dot sëmundjen time…

Meghan Bea ka rrëfyer për “Today” kalvarin e gjatë të vuajtjeve të saj me një sëmundje jo fort të zakontë:

Po studioja për kanto në shkollën pasuniversitare të Hartford. Gjithçka deri në atë moment ishte e bukur. Mbaj mend që po haja ca kokrra çokollate në klasë dhe s’po ndihesha mirë. Në vend që të përqendrohesha në mësim dhe të mësoja më shumë mbi notat muzikore, isha e mjegulluar dhe pa pikë përqendrimi. Kjo gjendje më kaploi për disa muaj me radhë, isha e rraskapitur!

Pasi mbusha 21 vjeç, kisha takime thuajse të përditshme me mjekë dhe merrja gjak sepse isha shumë  e dobët. Po kërkoja përgjigjien e gjithë situatës time. Isha vazhdimisht e sëmurë, flokët po më binin shumë dhe nuk kisha fuqi të prekja me dorë violën time, mezi ecja në korridoret e shkollës. Në momente të caktuara nuk kisha përqendrim as të lexoja shkronjat…

U diagnostikova me një sëmundje të quajtur lupus cerebritis. Janë rreth  1.5 milionë amerikanë që vuajnë e jetojnë me lupus dhe 90% e tyre janë gra.

Lupusi është i ngjashëm me sklerozën e shumëfishtë dhe artritin. Shumica e pacientëve përjetojnë lodhje, dhimbje kyçesh dhe skuqje në formë fluture në faqet dhe hundën e tyre. Unë s’kisha dhimbje kyçesh apo skuqje, prandaj dhe mori shumë kohë për ta zbuluar si sëmundje.

Mbaj mend kur ia kam shpjeguar mjekut ato që po më ndodhnin, prisja si një naive e vërtetë që të më jepte ca antibiotikë apo pilula të zakonshme që do e rikthenin trupin tim në gjendjen e mëparshme. Ai as nuk më dëgjoi, më ndërpreu dhe zhgarraviti një recetë ku rekomandohej që unë të shkoja te një psikiatër. “Je në depresion”,  më tha.

Shumë pacientë me lupus përjetojnë makthe të tilla, mjekë që nuk i marrin seriozisht apo dhe njerëz që i fajësojnë për simptomat e tyre. Kuptova se nëse nuk do e trajtoja si sëmundje, ajo edhe mund të më merrte jetën! Edhe pasi flija 10 orë në natë, mezi dilja nga shtrati çdo mëngjes. Lodhja ishte aq ekstreme nganjëherë, saqë kisha halucinacione sikur muret rrotulloheshin.

Më pushtoi ankthi duke menduar se të gjithë shokët e mi të klasës më urrenin fshehurazi. Më vonë mësova se sëmundja ime, e lënë e pakontrolluar, ishte zhvilluar në psikozë, një çrregullim mendor që shtrembëroi realitetin e botës rreth meje. Për muaj të tërë, emocionet e mia luhateshin nga depresioni në marramendje pa asnjë arsye.

Unë u diagnostikova gabimisht me depresion, çrregullim bipolar, Lyme, tiroide dhe mono. Doktor pas doktori nuk i merrte seriozisht simptomat e mia. Po vdisja nga mungesa e kujdesit mjekësor në një vend të zhvilluar ku burimet nuk ishin të pakta, gjithçka sepse nuk mund të bëja askënd të më dëgjonte.

Pas një viti e 6 muaj, u diagnostikova me lupus. Kur e mësova sëmundjen time, kuptova dhe si funksiononte mjekimi. Kjo ndodhi pasi 7 doktorë “zbuluan” një sërë sëmundjesh tjera, por jo atë që kisha vërtet!

Mjegulla e trurit, psikoza dhe lodhja u shuan ngadalë pas disa muajsh trajtimi mjekësor, por unë vazhdova të lexoja dhe të mësoja. Menaxhimi i sëmundjes sime do të ishte një synim i përjetshëm. Nuk fola hapur për sëmundjen time për shumë vite. Isha i shqetësuar se kolegët e mi nuk do të donin të punonin me dikë që ende herë pas here luftonte me lodhjen dhe se asnjë prind nuk do të donte që fëmijët e tyre të studionin me dikë që dikur kishte qenë me psikozë të theksuar.

Por tani nuk kam më frikë ta ndaj historinë time! Pika më e errët e jetës time mund të ndriçojë rrugën e atyre që po përjetojnë të njëjtën sëmundje./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share