“Më thanë e vranë, mendoja se po bënin shaka”, flet partnerja e shqiptarit që u vra në Mikonos

Partnerja e 34-vjeçarit shqiptar Visar Dakrama, i njohur edhe si Julian Kosova, që u vra në Mikonos të Greqisë të hënën, ka folur për mediat greke dhe ka rrëfyer marrëdhënien e tyre.

Në një intervistë për televizionin grek Alpha, ajo ka treguar bisedat e fundit që ka bërë me 34-vjeçarin dhe cili ka qenë raporti i tij me vajzën për të cilën flitet se ishte “mollë sherri” me autorin 33-vjeçar grek.

“Jani kishte zemrën e një fëmije. Ishte i vogli im, kështu i thoja. Ishte i mrekullueshëm. Të premten folëm për herë të fundit. Më tha të dua dhe ishte zemëruar për diçka. Dhe për inat nuk folëm më. Ai më tha vetëm se më do. Nga sa më treguan, atë natë ishte zënë me atë vajzën. Ishte kokëfortë, nuk donte që të më shqetësonte njeri. E njihja atë vajzë”, tregon partnerja e Visar Dakrama, e cila është në gjendje të rënduar psikologjike, teksa ka shtuar se vajza për të cilën ndodhi krimi ishte subjekt keqkuptimi.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ajo tregon gjithashtu se edhe me autorin, 34-vjeçari shqiptar kishte njohje.

“E dija që flisnin, e dija që njiheshin, mbaj mend që në verë kishin dalë për të pirë, kaq di unë”.

E pyetur se çfarë ndodhi mes dy të rinjve, ajo u përgjigj: “Nuk e di, siç kam mësuar sherri ndodhi për arsye të parëndësishme”.

Partnerja e shqiptarit ka rrëfyer edhe momentet kur mësoi se 34-vjeçari ishte vrarë.

“Më telefonuan dhe më thanë të zgjohem, se po flija. Më thanë e vranë Janin. Mendoja se po bënin shaka me mua, mendoja se Jani po bënte shaka me mua. Më pas mësova nga disa të afërm të tij se kishte ndodhur vërtetë”.

Visar Dakrama u qëllua me plumb në kokë nga një 33-vjeçar grek. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të së hënës në një lokal në Mykonos. Autori, shkoi në shtëpi, mori një armë dhe u kthye në lokalin ku ndodhej shqiptari. Aty e qëlloi me plumb në kokë.

33-vjeçari u arrestua dhe në momentet e para ishte në gjendje të rënduar për shkak të konsumimit në sasi të lartë të alkoolit. /tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share