Mbytja e peshkarexhës, Greqia reagoi me vonesë?

Faktet e BBC: Mjeti lundrues qëndroi mbi 7 orë në det pa lëvizur

Bilanci i rëndë i tragjedisë së të mërkurës së kaluar pranë brigjeve të Greqisë ku humbën jetën 79 emigrantë, mund të jetë shkaktuar edhe nga reagimi i vonuar i autoriteteve greke. Media britanike BBC shkruan se ka siguruar prova që vërtetojnë se peshkarexha me 600 persona në bord qëndroi pa lëvizur për 7 orë pranë brigjeve jugore të Peloponezit.

Por sipas detajeve të reja të bëra të ditura nga Ministria e Marinës Detare të Greqisë, forcat greke nisën operacionet e ndihmës 4 orë gjysmë para fundosjes së peshkarexhës.

Disa anije greke u dërguan ushqime, por para fundosjes, peshkarexha tentoi disa herë t’u largohej duke bërë të pamundur evakuimin e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Peshkarexha ishte e mbingarkuar me emigrantë të jashtëligjshëm nga vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, të cilët ishin nisur nga Libia drejt Italisë.

Kombet e Bashkuara kërkuan hetime lidhur me dyshimet se pala greke reagoi me vonesë, çka mund të ketë shkaktuar edhe atë që konsiderohet si bilanci më i rëndë i viktimave nga trafiqet klandestine në Mesdhe për këtë vit.

Në pranga për këtë tragjedi kanë rënë 9 egjiptianë të dyshuar si skafistë.

 Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share