Mbi 30 mijë mercenarë të Wagner, të plagosur ose të vrarë në Ukrainë

Mbi 30 mijë mercenarë që luftojnë për grupin para-ushtarak rus Wagner janë vrarë ose plagosur që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Kështu shprehen zyrtarët e SHBA-së. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se grupi ka humbje të mëdha javët e fundit, me rreth 9 mijë luftëtarë të vrarë në aksion.

Luftëtarët janë rekrutuar në burgjet ruse. Shumica e viktimave janë të dënuar që nuk kanë qenë të trajnuar. Por pavarësisht humbjeve, grupi Wagner ka fituar terren në qytetin e Bakhmut-it.

Mercenarët kanë bërë përpjekje të forta për ta kapur qytetin. Trupat ukrainase thonë se luftëtarët e Wagner-it janë dërguar në sulme në numra të mëdha në terren të hapur. Një zëdhënës ukrainas tha se Moska ka dështuar që të evakuojë të plagosurit dhe ushtarët e vdekur.

Kapja e Bakhmut-it do t’i lejonte Rusisë që të bënte avancime të tjera në qytete më të mëdha në Perëndim si Kramatorsk dhe Slovyansk. Ndërkohë zyrtarët e agjencive të inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar thonë se forcat e rregullta ruse dhe trupat Wagner mund të kenë humbur 40 mijë-60 mijë ushtarë. Ndërkohë 135 mijë -140 mijë të tjerë mendohet se mund të jetë numri i të plagosurve.

Grupi Wagner para nisjes së luftës ishte një grup i vogël vetëm me 5 mijë ushtarë, disa prej të cilëve me eksperiencë.

Por vitin e kaluar nisi të rekrutonte dhjetëra mijëra luftëtarë nga burgjet sepse Rusia e kishte të vështirë që të gjente trupa për pushtimin në Ukrainë. Sipas zyrtarëve të Mbretërisë së Bashkuar, gjysma e këtyre të dënuarve janë vrarë ose plagosur.

Wganer mendohet se i ka nisur operacionet në vitin 2014 në gadishullin e aneksuar të Krimesë. Pas kësaj ka operuar në Ukrainë, Siri dhe Afrika. Ky grup njihet për brutalitetin dhe krimet e luftës./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share