Mbi 1 mijë viktima nga tërmeti i fuqishëm në Marok

Qindra të plagosur, dëme të shumta materiale

Ky është njëri prej momenteve të tmerrit të shembjes së mijëra ndërtesave në Marok nga një lëkundje e fuqishme tërmeti me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter që tronditi vendin afrikano-verior natën e kaluar.



Bilanci i deritanishëm është katastrofik, të paktën 1 mijë të vdekur, me qindra të plagosur e po aq të zhdukur.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth orës 23:00 të natës së të Premtes, 71 kilometra në jugperëndim të qytetit historik të Marrakeshit, por lëkundjet u ndjenë në gjithë vendin. Autoritetet vendase thanë se nuk ka qytezë ku lëkundjet e forta nuk u ndjenë.

Pas lëkundjeve, banorët në gjithë vendin braktisën shtëpitë dhe u dyndën rrugëve për të shpëtuar.

Ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën për gjetjen e sa më shumë të mbijetuarve nën rrënoja, por siç bëjnë të ditur autoritetet vendase, zona ku u regjistruan lëkundjet dhe ku ka më tepër dëme është malore dhe shumë e thepisur dhe arrihet me vështirësi. Në ndihmë të tyre janë angazhuar qindra trupa ushtarake.

Mes qyteteve më të dëmtuar është Marrakeshi, që ndodhet pranë epiqendrës. Qyteti që e ka zanafillën që në shekullin e 12 është nën mbrojtjen e UNESCO-s, por tërmeti ka shkaktuar krahas viktimave edhe dëme të shumta në ndërtesat historike të islamizmit të hershëm.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të ndihmojnë ekipet e emergjencës, ndërsa shumë prej tyre u janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak. Liderë të ndryshëm botërorë si presidenti amerikan Joe Biden e presidenti francez Emmanuel Macron shprehën ngushëllimet për këtë tragjedi dhe ofruan ndihmat e tyre.

Ekspertët e konsiderojnë këtë si tërmetin më të fuqishëm të paktën në 100 vitet e fundit, me një magnitudë të pazakontë, pasi më herët në Marok nuk janë regjistruar lëkundje mbi 6 gradë.

Numrin më të madh të viktimave deri më tani në këtë vend e ka pasur tërmeti i 1960-ës që rrafshoi qytetin bregdetar Agadir, ku mendohet të kenë humbur jetën mbi 12 mijë banorë.

Tv Klan

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share