Mbeten të bllokuara rrugët në veri të Kosovës

Veriu i Kosovës mbetet i bllokuar me barrikada. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, serbët nuk i kanë larguar barrikadat nga rrugët. Mbeten të mbyllura pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha ka dhënë më shumë detaje përsa i përket situatës në veri të Kosovës dhe po ashtu për takimet që kanë pasur i dërguari i SHBA-së, Escobar dhe ai i BE-së, Lajçak në Kosovë.

Pyetje: A mund të na thuash si është situata në veri të Mitrovicës?

Blerta Dalloshi Berisha: Situata në veri vijon të jetë e qetë. Ka 2 ditë që nuk ka pasur shqetësime me shpërthime apo me diçka të tillë ndërsa barrikadat vijojnë të qëndrojnë aty dhe kufijtë vijojnë të mbeten të mbyllur.

Pyetje: Kryeministri Kurti ka pasur takime me të dërguarin e BE-së dhe SHBA-së, Lajçak dhe Escobar. Çfarë është diskutuar dhe këta 2 zotërinj a dhanë ndonjë deklaratë për shtyp pas takimit?

Blerta Dalloshi Berisha: Po, Escobar brenda 24 orësh u takua 2 herë me Kryeministrin Kurti, 1 ditë më parë u takua vetë kurse sot bashkë me Lajçakun. Pas takimit, Escobar tha se kanë diskutuar për situatën në veri, ndërsa ai theksoi se do të vazhdojë të këmbëngulë që çështja e asosacionit të komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet nga qeveria e Kosovës dhe Lajçak foli ku tha se kanë diskutuar për situatën në veri dhe ai shpreson se barrikadat do të hiqen me marrëveshje dhe nuk do të ketë nevojë për bultozher siç tha ai, ndërsa e ka përmendur faktin se pas takimit me Kurtin do të ketë një takim dhe me komandantin e KFOR-it dhe EULEX-it për të diskutuar më gjerësisht për situatën në veri ku ai shpreson se do të ketë një marrëveshje. Gjatë ditës së nesërme, do të takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Beograd./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share