Pas ndeshjes kundër Athletic Club në “San Mamés”, Kilian Mbappé mori përgjegjësinë e plotë për “gabimin e madh” të tij që ndikoi në humbjen e pësuar nga Real Madridi. Sulmuesi francez dështoi nga pika e bardhë e 11 metërshit, me portierin Julen Agirre-Zabala që e priti penalltinë.
Një tjetër zhgënjim nga 25-vjeçari që po vuan që të gjejë formën e tij optimale pas transferimit në “Bernabeu”. Me një mesazh në rrjetet sociale, francezi mori përgjegjësinë për këtë humbje.
“Rezultat i keq! Një gabim i madh në një ndeshje ku çdo detaj ka rëndësi. Unë marr përgjegjësinë e plotë! Është një moment i vështirë, por është koha më e mirë për të ndryshuar këtë situatë dhe për të treguar se kush jam!” shkroi ai në profilin e tij në Instagram”.
Mbappe është i vendosur për të përballuar kritikat dhe për të përmirësuar performancën e tij. Pavarësisht se shënoi një gol në sfidën e mëparshme kundër Getafes, kujtimi i penalltisë së humbur në Ligën e Kampioneve kundër Liverpulit është ende i freskët te tifozët.
Në media është shkruar se lojtari është në një moment të vështirë, madje është aluduar se ai po vuan për shkak të problemeve psikologjike. Por te Reali vazhdojnë që t’i besojnë me trajnerin Ançeloti që mendon se futbollisti do të rikthehet në vendimtar për ekipin. Reali është 4 pikë larg Barcelonës në renditjen e La Liga-s, me 1 ndeshje më pak.
Klan News