Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se mësimi për ditët e votimit, 24 prill dhe 8 maj, si dhe 30 nëntor kur u organizua Samiti i OSBE-së në Shkup, do të kompensohen në ditët e punës dhe jo të shtunave.
“Plotësimi i orëve mësimore të parealizuara do të planifikohet dhe organizohet nga drejtorët e shkollave dhe do të realizohet me qëndrim më të gjatë të nxënësve në ditët e javës së punës, në kuadër të orarit gjashtë – orësh të kohës së punës së mësimdhënësve”, thonë nga MASH-i.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës kujton se viti shkollor për nxënësit e shkollave të mesme zgjat deri më 10 qershor, ndërsa për nxënësit e shkollave fillore deri më 17 qershor.
“Është e nevojshme që të ruajmë interesin më të mirë të nxënësve ndërsa kjo nënkupton që ata të kompensojnë plotësisht dhe në mënyrë cilësore materjen e paraparë mësimore”, thekson MASH.
Shkollat nuk do të punojnë nesër dhe më 8 maj, ndërsa në ato ku do të votohet, sot kanë punuar me orar të reduktuar për shkak të përgatitjeve.