Gjatë raportimit në Kuvend për takimin e Ohrit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ripërsëriti gatishmërinë për ta firmosur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE. Duke ripërsëritur se ishte Vuçiç ai që nuk e firmosi si në takimin e 27 Shkurtit, ashtu edhe atë të 18 Marsit, Kurti tha se kjo nuk i ul detyrimet ndaj Bashkimit Europian. Kurti tha se pala kosovare mbetet e hapur për ta nënshkruar bashkërisht marrëveshjen.
“Me të drejtë mund të theksojë dikush faktin që Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. Ata thonë për arsye të brendshme, por kjo nuk i ul detyrimet ndaj BE. Pra ne kemi marrëveshje. Paçka se ajo nuk është nënshkruar, sepse pala tjetër ka refuzuar të nënshtruar. Kujtoni se Kosova e ka ofruar nënshkrimin e marrëveshjes bazë, më 27 Shkurt në Bruksel. Serbia (nuk) mundi, ose nuk donte ta bënte. Ne ende kemi ende të hapur ofertën për ta nënshkruar bashkërisht këtë marrëveshje dhe do ta vazhdojmë ta mbajmë të hapur një ofertë të tillë. Përballë Serbisë, e cila nuk donte ta nënshkruante, BE gjeti një mënyrë për ta regjistruar marrëveshjen përmes një konfirmimi nga përfaqësuesi i lartë i BE për politikë të jashtme dhe siguri me pëlqimin paraprak të palëve, kjo duhet të përforcohet më tej nga konkluzionet e KE”./tvklan.al