NDRYSHIMET KUSHTETUESE JANË TË DOMOSDOSHME DHE DUHET TË REALIZOHEN
Korniza negociuese e Maqedonisë së Veriut me BE-në është me plot sfida, por vendi ynë sheh drejt rrugës së integrimit evropian. Kështu vlerëson zv/kryeministri për Çështje Evropiane, njëherit edhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq.
Në takimin dypalësh në Bruksel me temën “Kapitulli 31 – Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë” nga Klasteri 6, me përmbylljen e të cilës zyrtarisht përfundon procesi i skriningut të Maqedonisë së Veriut, mes tjerash Mariçiq theksoi edhe përkushtimin e shtetit për harmonizimin e politikave me ato të Bashkimit Evropian.
“Vlen të theksohet se Republika e Maqedonisë së Veriut është e përfshirë në mënyrë aktive në dialog të rregullt politik për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë në të gjitha nivelet dhe bashkëpunon ngushtë me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor. Si shtet, jo vetëm që e pranojmë, por edhe e mbështesim plotësisht agjendën e këtij kapitulli e cila sinjalizon një përkushtim të fuqishëm për të harmonizuar politikat me standardet evropiane”, tha Bojan Mariçiq.
Por ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin e tij theksoi se nëse vendi nuk i realizon ndryshimet kushtetuese, rruga eurointegruese e vende mund të ndalet.
“Kjo do të jetë një mundësi e humbur historikisht në këtë situatë gjeopolitike në Union, kur zgjerimi është një prioritet dhe domosdoshmëri gjeostrategjike. Ndaj edhe një herë po bëj thirrje që të sigurohet shumica e nevojshme në Kuvend për arritjen e qëllimit e cila është me rëndësi strategjike kombëtare dhe është aspiratë e shumicës së qytetarëve tanë që t’i përkasin familjes euroatlantike, të cilën asnjë parti nuk mund ta injorojë, sidomos nëse pretendon të udhëheqë një qeveri të ardhshme”, tha Bujar Osmani.
BE e filloi Procesin e skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut më 15 shtator të vitit 2022. Deri më tani janë mbajtur takime dypalëshe për të 33 kapitujt që janë të ndarë në 6 grupime. Me mbylljen e këtyre kapitujve do të përfundojë zyrtarisht edhe procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut./KlanMacedonia