Një maratonë shumëorëshe bisedimesh është zhvilluar në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borell dhe ndërmjetësin për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Bisedimet u zgjatën me shumë nga çfarë ishte planifikuar.
Diskutimet u përqendruan në planin e zbatimit të propozimit europian për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel.
Një nga nenet e tij kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në 12 vjetët e fundit ku përfshihet edhe pika që ka të bëjë me bashkësinë e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.
Diplomacia europiane dhe ajo amerikane kërkojnë marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve brenda këtij viti ndërsa pala që do të hezitojë nënshkrimin e saj është kërcënuar me sanksione deri në ndërprerjen e ndihmës financiare.
Klan News