Maqedonia e Veriut kryeson në përmbushjen e Angazhimit për Transparencë të Koalicionit UNCAC

Maqedonia e Veriut është aktualisht i vetmi vend nga 37 nënshkrues të Angazhimit për Transparencë të Koalicionit UNCAC (Konventa e Kombeve të Bashkuara për mbrojtje nga Korrupsioni), i cili është plotësisht në përputhje me këtë zotim.

Këto të dhëna u ndanë në Konferencën e Vendeve Nënshkruese (CoSP), organ kryesor politikbërës i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC), e cila këto ditë po mbahet në Atlanta, SHBA, dhe në të cilën Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përfaqësuar nga zëvendëskryeministrja e ngarkuar për politika të qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska.

Angazhimi është vendim vullnetar i çdo shteti anëtar për përmbushjen e standardeve minimale për transparencë dhe pjesëmarrje të shoqërisë civile në mekanizmin e rishikimit të UNCAC.

Koalicioni UNCAC është një rrjet global i mbi 350 organizatave të shoqërisë civile në mbi 100 vende, të përkushtuara për promovimin e ratifikimit, zbatimit dhe monitorimit të kësaj konvente të OKB-së.

Pajtueshmëria e tërësishme e Maqedonisë së Veriut me angazhimin e Koalicionit UNCAC pasqyron përkushtimin e Qeverisë për forcimin e transparencës, si një nga parimet më të rëndësishme të qeverisjes së mirë, si dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në përpjekjet për ballafaqim me korrupsionin.

Për të ruajtur trendin pozitiv në këtë fushë, Qeveria do të vazhdojë të promovojë transparencën proaktive të institucioneve përmes përmbushjes së qëllimeve të Strategjisë së re të Transparencës, e cila javën e kaluar u miratua në mbledhjen e Qeverisë dhe që u përpilua në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe në një proces të gjerë pjesëmarrës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share