RASTI I LEONID INDOV
Pas reagimeve dhe organizimit të opinionit për të ndihmuar financiarisht të riun Leonid Indov, i cili me helikopter u dërgua për mjekim në Vjenë, sot ka dalë me shpjegim edhe zv/ministrja e shëndetësisë, Maja Manoleva. Ajo ka deklaruar se prindërit nuk kanë kërkuar mendim nga ndonjë institucion i përkatës në[ vend për mundësin e trajtimit ose rehabilitimit.
“Për fëmijën që po diskutohet edhe dje edhe sot, prindërit nuk kanë kërkuar fare mendim nga një institucion përkatës për mundësinë apo pamundësinë e përfundimit të trajtimit, pra të rehabilitimit të atij fëmije në institucionet tona. Unë besoj se duhet të kalojmë fillimisht në atë rrugë dhe vetëm më pas të themi se do të shqyrtojmë të gjithë dokumentacionin mjekësor, do të shohim pacientin klinik dhe vetëm atëherë kolegjiumi i ekspertëve të klinikave përkatëse do të japë mendimin e tij dhe do të thotë nëse ka apo jo mundësi për të vazhduar trajtimin apo rehabilitimin në institucionet tona” – tha Maja Manoleva, zv/ ministre e Shëndetësisë.
Manoleva shtoi se ka biseduar me prindërit e tetëmbëdhjetë vjeçarit, por vendimi ka qenë i tyre që ta dërgojnë jashtë vendit për mjekim.
“Ende nuk e mbaj mend se cila periudhë ka qenë saktësisht, duhet të ketë qenë disa muaj më parë, kam pasur një takim me prindërit ku u kam shpjeguar se cila duhet të jetë rruga e fëmijës, jo si zv.ministër por si specialiste. Nuk është e vërtetë që nuk jemi interesuar dhe nuk kemi mundësuar asgjë deri më tani. Vendimi ishte i tyre, nuk mund të ndikoni në vendimin e askujt për të kërkuar atë që ata mendojnë se është më e mira për dike”.
Fondi për Sigurim Shëndetësor dje tha se kërkesa për Leonid Indov është refuzuar si e pabazë, pasi nuk bëhet fjalë për referim për mjekim jashtë vendit, por për kryerjen e shërbimit shëndetësor rehabilitues. Tetëmbëdhjetë vjeçari Leonid Indov pësoi një aksident të rëndë këtë verë i cili i shkaktoi lëndim të rëndë të shtyllës kurrizore, ndërsa dërgimi i tij për mjekim në Austri u bë me helikopterin e MPB-së, ku u përcoll nga shumë zyrtarë shtetëror. /tvklan.mk/