Më datat 9 dhe 10 dhjetor një grup studiuesish nga më të mirënjohurit e shkencave të etnokulturës shqiptare më saktë etnolog dhe folklorist shqiptar u mblodhën në një konferencë shkencore në Manastir për të elaboruar punimet e tyre shkencore të rajonit të Manastirit dhe Prespës.
Konferenca “Etnokultura e rajonit të Pelagonisë dhe Prespës” u organizua nga shoqata për etnokulturën shqiptare ,,Etnoalb” e cila nuk arriti që këtë projekt shkencor ta realizoj në vitin 2021 sepse nuk hasi në mirëkuptimin e ministres së asaj kohe. Kurse këtë vit Ministria aktuale e Kulturës e pranoi si projekt me interes nacional në kuadër të konkursit për projekte nga Ministria e kulturës për vitin 2022.
Manastiri dhe Prespa si krahina kulturore dhe historike janë shumë të rëndësishme por të vështira për tu trajtuar nga studiuesit e etnokulturës pasi ka shumë pak studime për këto krahina, sepse jo vetëm që kanë qenë si të veçuara gjografikisht por dhe të persekutuar nga regjimet e kohës Jugosllave, kur një numër i madh i banorëve të këtyre trevave në mënyrë të dhunshme dhe barbare janë detyruar të migrojnë në Turqi, Evropë e deri në Australi. Por fatmirësisht fshatrat e shumtë në numër por të pakët me banorë e ruajnë traditën e hershme të të parëve të tyre.
Kështu shumë studiues nëpërmjet të disa msëuesve të vendit të arritën ndërlidhen me banorët e këtyre viseve për të nxjerrë materiale të rëndësishme për etnokulturën shqiptare. Në këtë konferencë me punimet e tyre shkencore u prezantuan emra të njohur të etnokulturës me tituj të lartë shkencor si: Drita Halimi Statovci, Zimer Neziri, Izaim Murtezani, Nexhat Çoçaj, Mustafa Ibrahimi, Vlora Berisha, Myzafere Mustafa, Bexhet Asani, Hamit Xhaferi, Bukurije Mustafa, Hiriet Ziberi, Vebi Bexheti, Angjelina Hamza, Rini Useini, Bekim Ramadani, Besnik Emini, Ardian Limani, Besjona Jusufi, Ilir Iseni dhe Osman Adili.
Tematikat e shtruara ishin të fushave të ndryshme të etnokulturës dhe folklorit dhe atë u trajtuan tema naga veshjet popullore, dasmat tradicionale, arkitektura popullore, këngët epike dhe lirike, analizë e përallave vendore, klubet shqiptare të Manastirit dhe veprimtarit botuese të tyre, festat dhe ritet kalendarike si dhe ritet e vdekjes. Nuk do jetë konferenca e vetme por vetëm fillimi i konferencave për këtë hapësirë me rëndësi për etnokulturën shqiptare u tha nga kryetarja e shoqatës Etnoalb Dr.Bukurije Mustafa.