Mali i Zi dhe Serbia zotohen për marrëdhënie më të mira

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, tha se shpreson që vendi i saj të rivendosë marrëdhënie më të mira me Malin e Zi.

Bërnabiq i bëri komentet pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Beograd.

“Kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, tha Bërnabiq.

Ajo tha se ka pasur bisedime “të mira, konkrete, dhe pragmatike” me Abazoviqin, dhe se kanë identifikuar disa çështje që mund t’i zgjidhin.

Si një prej tyre, ajo përmendi çështjen e transaksioneve të drejtpërdrejta, e cila, siç tha, mund të fillojë të zgjidhet menjëherë.

Sipas saj, bisedimet kanë prekur edhe çështjen e ushqimit, energjisë dhe lidhjeve infrastrukturore.

“Derisa ne kemi ushqim, partnerët dhe miqtë tanë në rajon do të kenë ushqim, e Serbia ka ushqim të mjaftueshëm”, tha Bërnabiq.

Ajo po ashtu tha se ka ftuar Abazoviqin që Mali i Zi t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur.

“Një gjë e tillë do të nënkuptonte një rajon shumë më të lidhur, siguri më të madhe, një shtysë më të madhe për ekonominë dhe besueshmëri për investime të huaja”, tha kryeministrja serbe.

Nisma rajonale Ballkani i Hapur është krijuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share