Macron-Scholz, takim i mundshëm me Vjosa Osmanin dhe Vuçiq të enjten

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se pret që së bashku me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të takojë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 1 Qershor në Kishinau të Moldavisë.

Gjatë një fjalimi në GLOBSEC 2023 Bratislava Forum, ai ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës, ku ndër të tjera, i ka fajësuar autoritetet kosovare për situatën aktuale.

“Ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe mungesë respekti për një marrëveshje që është e rëndësishme dhe është mbyllur disa javë më parë”, ka thënë ai.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka bërë të ditur se Kancelari Scholz pret që t’i takojë Osmanin dhe Vuçiçin të enjten në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

Hebestreit ka njoftuar në Berlin se të dy liderët evropianë do të diskutojnë rreth situatës aktuale në veri të Kosovës me Presidenten Osmani dhe presidentin Vuçiç.

Kujtojmë se sot ka pasur njoftim edhe nga Presidenca e Kosovës se Osmani do të udhëtojë për në Moldavi ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian.

“Me ftesë të organizatorëve të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC)”.

Sipas njoftimit të Presidencës, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Kujtojmë se të hënën, 30 ushtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore në Zveçan gjatë përleshjes me protestuesit serbë të cilët përdorën shufra, koktej molotovi, shok bomba, mjete të tjera shpërthyese, gurë dhe shishe prej qelqi.

E gjithë kjo ndodhi pasi protestuesit ishin mbledhur pranë objektit të komunës për ta penguar kryetarin shqiptar që të ushtrojë detyrën që kishte marrë në zgjedhjet e 23 Prillit, e të cilat zgjedhje i ka bojkotuar Lista Serbe.   /klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share