Presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë një takimi me presidentin izraelit Isaac Herzog në Jerusalem të martën se ai shkoi në Izrael “për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin tonë dhe për të ndarë dhimbjen tuaj”.
Pasi mbërriti në aeroportin e Tel Avivit, Macron u takua me familjet e 18 personave franko-izraelitë që janë vrarë, mbahen peng ose janë zhdukur.
“Objektivi i parë që duhet të kemi sot është lirimi i të gjithë pengjeve pa asnjë dallim, sepse ky është një krim i tmerrshëm të luash me jetët e fëmijëve, të rriturve, të moshuarve, civilëve, ushtarëve”, tha Macron.
Ai tha se donte të siguronte që Izraeli “të mos lihet vetëm në luftën kundër terrorizmit”.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të rivendosur paqen, sigurinë dhe stabilitetin për vendin tuaj dhe të gjithë rajonin”, shtoi ai, raporton Associated Press.
Autoritetet franceze thanë se 30 shtetas francezë u vranë në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi dhe nëntë të tjerë janë zhdukur ose mbahen peng.