Ligjet e reja kanë shkaktuar përçarje brenda partisë së presidentit francez
Presidenti Emmanuel Macron ka mbrojtur reformën e kontestuar për emigracionin e cila kaloi në parlament së fundmi. Macron mohoi se ligji i miratuar nga deputetët kishte provokuar një krizë politike në qeverinë e tij.
“Unë jam garantuesi i institucioneve dhe, e kam thënë, se mund ta mbrojmë vendin, tu ofrojmë qytetarëve francezë këtë mburojë pa ndryshuar vlerat dhe kushtetutën tonë. Dhe këtu ka një mosmarrëveshje me të djathtën ekstreme, thelbi i programit që ka zonja Le Pen, programi që grupi i saj parlamentar mbron, ka të bëjë me ndryshimin e kushtetutës dhe rregullave tona.”
Përçarja në qeverinë e Macron erdhi edhe pas dorëheqjes së ministrit të shëndetësisë të cilën Shefi i Elizesë nuk harroi ta komentonte duke thënë se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Vetë Macron pranoi se nuk ishte dakord me të gjitha ndryshimet, por theksoi se kjo nuk ishte arsye e mjaftueshme për të braktisur legjislacionin që kishte marrë më shumë se një vit për t’u hartuar dhe miratuar. Me masat e reja, emigrantëve të huaj u vështirësohet marrja e familjarëve në Francë dhe u zgjatet periudha për të fituar akses në ndihmë sociale.
Klan News