Presidenti francez do të kërkojë të ringjallë marrëdhëniet dhe do të kërkojë që SHBA të mos dobësojë kompanitë evropiane
Presidenti francez Emmanuel Macron do të pritet nga presidenti i SHBA Joe Biden këtë javë në një vizitë të rrallë shtetërore që synon të nxjerrë në pah miqësinë franko-amerikane dhe jo konkurrencën e ashpër ekonomike midis dy kontinenteve.
Pas muajsh ndërprerjeje për shkak të pandemisë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të mirëpresë presidentin francez në fillim të Dhjetorit. Macron do të përpiqet të bindë Shtetet e Bashkuara se është në interesin e tyre të mos dobësojnë kompanitë evropiane në një kohë që aleatët perëndimorë po përballen me konkurrencë të fortë ekonomike nga Kina, për të cilën ata thonë se po përdor fuqinë e saj ekonomike si levë diplomatike.
“Epo, gjatë presidencës Trump, marrëdhënia europiano-amerikane, franko-amerikane ishte mjaft konfliktuale dhe e vështirë, sepse në Shtëpinë e Bardhë ishte një president që nuk besonte në aleancë që minonte NATO-n në çdo hap. Të gjithë e mbajnë mend që Emmanuel Macron u përpoq të zbuste disi Donald Trumpin, por nuk ia doli. Shtëpia e Bardhë e Bidenit është një Shtëpi e Bardhë miqësore ndaj Evropës, dua të them, Biden është një ndërkombëtarist i vjetër, një mik i Evropës, ai beson në komunitetin evropian dhe Emmanuel Macron , i cili është një udhëheqës i tillë evropian, si i tillë, kanë një bazë të mirë për të kuptuar njëri-tjetrin”, ka thënë Nicole Bacharan.
Më shumë se një vit pasi Uashingtoni, Londra dhe Kanberra anuluan një kontratë të madhe franceze për nëndetëset, duke i çuar marrëdhëniet franko-amerikane në pikën më të ulët, të dy vendet pritet të shfaqin një tablo uniteti përballë kërcënimeve të përbashkëta nga Rusia.
Çështjet e energjisë do të jenë gjithashtu të dukshme në bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, me Francën që shpreson të nxisë bashkëpunimin për energjinë bërthamore. Evropianët thonë se paketa masive e subvencioneve për prodhuesit amerikanë mund t’i japë një goditje vdekjeprurëse industrive të tyre, të cilat tashmë po përballen me çmimet e larta të energjisë të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës. Gjatë vizitës në Amerikë, Presidenti francez do të udhëtojë gjithashtu në Luiziana, për të nderuar trashëgiminë franceze në këtë shtet.
Klan News