Lumi Vardar në kryeqendrën maqedonase, Shkup, është një prej lumenjve më të ndotur në Evropë, uji i të cilit, sipas analizave, konsiderohet i rrezikshëm edhe për larje, edhe për ujitje.
Në Shkup, në Lumin Vardar derdhen disa lumenj, sikurse Treska, Pçinje dhe Lepenci dhe në të kaluarën ato kanë qenë vende ku shumë familje kanë kaluar ditët e nxehta të verës.
Por, në këta lumenj tani po derdhen drejtpërdrejtë ujërat e zeza, pa kaluar nëpër stacione filtrimi.
Blerim Qahili, baba i dy vajzave të mitura, thotë për Radion Evropa e Lirë, se personalisht, ditët e verës kur ka qenë fëmijë i ka kaluar qoftë në Vardar apo Treska, që kishin ujë të pastër dhe gjelbërim përreth.
“Për fat të keq, sot unë si prind i dy vajzave të mitura, as edhe një ditë nuk mund t’i dërgoj ato në brigjet e lumenjve dhe nuk mund t’i shfrytëzojmë bukuritë, pasi në këta lumenj po hidhen mbeturina të ndryshme dhe ka derdhje të ujërave të zeza”, thotë ai.
Analizat e bëra nga Qendra për Shëndetin Publik, nxjerrin në pah nivelin e lartë të ndotjes në lumenjtë në Shkup dhe rrethinë.
Drejtuesi i kësaj qendre, Lubço Konsdaninoski, thotë se çdo vit analizojnë cilësinë e ujit në 70 pika të kontrollit në lumenjtë që derdhen në Shkup: Vardar, Treska, Lepenc dhe Pçinje.
Rezultatet tregojnë se më shumë se 80 për qind e këtyre ujërave bëjnë pjesë në kategorinë e pestë dhe pjesa e mbetur në kategorinë e katërt sa i përket ndotjes kimike. Sa i përket ndotjes bakteriologjike që të gjithë këta katër lumenj që gravitojnë në Shkup karakterizohen me ndotje më të lartë”, thotë Konsdaninoski.
Sipas rregullores për klasifikimin e ujërave, që është miratuar në vitin 1999, ujërat e kategorisë së dytë përdoren për larje, e të tretës për ujitje dhe kategoria e katërt dhe e pesë paraqesin rrezik si për larje ashtu edhe për ujitje.
Lumi Vardar kalon përmes Shkupit. Rrjedha e këtij lumi është e pastër vetëm disa kilometra nga burimi i tij në fshatin Vërtok, të Komunës së Gostivarit.
Ndotja e lumit nis kur ai kalon përmes qytetit të Gostivarit dhe Tetovës dhe me të hyrë në Shkup, shndërrohet në një prej lumenjve më të ndotur në Evropë, pasi aty, pa kaluar nëpër stacione filtruese, përfundojnë ujërat e zeza, thuhet në analizat e kryera nga institucionet përkatëse.
Pavarësisht ndotjes, disa persona vazhdojnë të lahen në Vardar edhe pse përreth lumit ka edhe shenja që paralajmërojnë qytetarët kundër diçkaje të tillë.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka parë që edhe në rrjedhën e Lumit Treska, qytetarë së bashku me fëmijët e tyre lahen në ujërat e lumit, që derdhet në Vardar, përkatësisht në Saraj që gjendet në hyrje të Shkupit.
Disa nga qytetarët thanë se nuk janë të informuar për nivelin e ndotjes së lumit, por shtuan se besojnë se në pjesën e Sarajit, lumi është më i pastër.
Por, mjeku Lubço Konsdaninoski nga Qendra për Shëndetin Publik, thotë se autoritetet e pushtetit qendror dhe lokal duhet t’i informojnë saktë qytetarët për rrezikun dhe pasojat nga larja në ujërat e lumenjve të ndotur.
“Më e keqja është se në këta lumenj, në formë të pakontrolluar hidhen edhe kemikate nga laboratorë të ndryshëm. Për këtë ne na vijnë pacientë me djegie të syve, me probleme me lëkurën, madje edhe me probleme me stomakun, pasi gëlltisin pa dashje ujin e lumenjve”, thotë ai.
Në bazë të rregullativës ligjore të miratuar më 2016, që rregullon sferën e ujërave, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është ajo që duhet t’i informojë qytetarët për cilësinë e ujit të lumenjve.
Por, në ueb-faqen e këtij dikasteri informacionet mbi cilësinë e ujërave nuk përditësohen me kohë.
Organizatat joqeveritare që trajtojnë çështjet e mjedisit, thotë se ishte hap i duhur vendimi i Ministrisë së Ambientit që është pajtuar me sektorin civil për hartimin e një regjistri të quajtur “Libri i ujërave”. Në regjistër i tillë pritet të përmbajë të dhënat për gjendjen e lumenjve, jo vetëm në Shkup, por në mbarë territorin e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, nga shoqëria civile thonë se ky projekt ende është në pritje të realizimit.
“Ende po punohet në funksionalizimin e Librit të ujërave, këtu ka ngecur puna”, thotë Kiril Ristovski nga Qendra për demografi ekologjike “Florazon”.
Ai shton se problemi qëndron në mungesën e koordinimit midis institucioneve qendrore dhe lokale sa i përket shënimit të mesazheve për qytetarët sa i përket rrezikut nga larja në ujërat e ndotur./REL