Lulzim Basha rikthehet me 4 propozime

4 propozime bëri ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, në takimin e parë publik që pas dorëheqjes së tij. Në një takim me të rinjtë, Basha foli për listat e hapura, vetingun e politikanëve, kufizimin e mandateve për kryeministrin dhe votat e emigrantëve.

“Listat e hapura, vetingu i politikanëve, kufizimi i mandateve dhe diçka që sot me vendim të Gjykatës Kushtetuese është e detyrueshme, por nuk ka asnjë përpjekje për ta bërë realitet, vota e emigrantëve. Midis 35-42% e bashkatdhetarëve tanë nuk ndodhen fizikisht në Shqipëri. Të gjithë i dimë arsyet se pse. Janë larguar dhe vazhdojnë të largohen në mënyrë masive, por nuk kanë të drejtë të shprehen me votë si qytetarët, vëllezërit tanë në Kosovë apo qytetarët e vendeve të tjera të BE-së. Listat e hapura, vetingu i politikanëve, kufizimi i mandateve, votat e emigrantëve. Kam dhe shumë për të thënë, por mendoj si për nisje kemi mjaftueshëm për të folur, por edhe për çështje të tjera për të cilat jemi mbledhur sot këtu”, u shpreh Basha.

Basha solli në vëmendje se ekzistojnë mekanizma kushtetues për të ndryshuar sistemin, duke përmendur referendumin.

“Ftesa ime e parë dhe kryesore është të ndryshojmë kulturën tonë politike, mos besojmë më njerëzit, por të besojmë rregullat. Mos besojmë më fjalët, por të besojmë veprat. Unë dua të më besoni që jam serioz në këtë platformë, për t’jua dhënë ju kontrollin mbi besimin ndaj politikanit. Përmes listës së hapur e keni ju atë kontroll, s’e kam më unë, as kolegët e mi. Dhe që ta bëjmë këtë realitet, edhe sot në këtë sistem kështu siç është, kemi në dorë të vëmë në lëvizje mekanizma kushtetues. Dhe kjo është një pyetje që dua t’jua bëj sot, sepse është një pyetje që do e bëj kudo ku të ndodhem, në kontekste të tilla, me njerëz të angazhuar apo jo politikisht. Mundësia për të bërë realitet një ndryshim kushtetues nuk i takon vetëm parlamentit, i takon dhe qytetarëve. Mundësia për t’u shprehur për ndryshimin e sistemit, i takon qytetarëve, e kanë bërë të vështirë, por jo të pamundur. 50 mijë qytetarë me firmën e tyre mund të vënë në lëvizje një referendum popullor, për një çështje të caktuar. Një referendum popullor për të pyetur qytetarët, doni lista të hapura po apo jo. Doni vetingun e politikanëve, po apo jo? Doni kufizimin e pushtetit absolut, duke kufizuar mandatet, po apo jo? Doni të bëhet realitet një orë e më parë, vota e emigrantëve, po apo jo? Doni që qeveria të ketë një tavan për huamarrjen, për borxhin që merr në emër të shqiptarëve, po apo jo? Këto pra janë çështje për të cilat shqiptarët nuk kanë përse të presin. Nuk kanë përse të ndahen në të majtë dhe të djathtë, në mbështetës të kësaj force politike, apo të kësaj force politike. Nëse biem dakord, nëse 730 mijë njerëz që nuk dalin për të votuar, duan një sistem politik që t’i përfshijë, jo t’i përjashtojë, t’i japë mundësi atyre dhe fëmijëve të tyre jo t’i braktisë atëherë ftesa ime është të bëhemi bashkë“, u shpreh Basha.

Këto çështje, Basha tha se i konsideron si nevojën më akute. Dhe duke iu drejtuar të rinjve u shpreh se në këtë mënyrë ata nuk do të flasin më me heshtje, siç sipas tij, bënë në zgjedhjet e 14 Majit.

“Këto janë propozime që gjej rastin t’i lançoj sot këtu nga mesi i juaj si grupi me nevojën më akute për të mos folur më me heshtje siç folët para dy javësh, por për të bërë të mundur që zëri juaj të kumbojë sot një orë e më parë dhe sa më parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Basha.

Po ashtu, atyre që u kanë munguar bashkëbisedimet me të, i paralajmëroi se do të kenë kohë ta dëgjojnë sërish.

“Tani do kalojmë tërësisht në bashkëbisedim sepse gjithë ideja është që të jepni kontributin tuaj jo thjesht të flas unë megjithatë ka nga ata që thonë ke kohë pa folur e duam të të dëgjojmë, do të më dëgjoni mos kini merak”, u shpreh ai.

Sa i përket çështjes së kufizimit të mandateve, sipas Bashës, “ka ardhur koha që në Shqipëri t’i vemë fre egove të sëmura”.

“E treta shoqëritë e civilizuara i kanë dhënë një zgjidhje aksiomës së vjetër ‘pushteti korrupton, por pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute’. Zgjidhja që i ka dhënë SHBA, zyra më e fuqishme politike e të cilës Presidenti i SHBA është i kufizuar në kohën e shërbimit jo më shumë se dy mandate. Jo se nuk mundet të shërbejnë më shumë se dy mandate, por sepse pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Ka ardhur koha që në Shqipëri t’i vemë fre egove të sëmura. Asnjë kryeministër që nuk arrin dot të realizojë objektivat e veta për dy mandate nuk mund t’i bëjë për një mandat të tretë. Përkundrazi gjërat mund të shkojnë në degradim dhe shembullin e kemi para syve tanë”, u shpreh Basha.

Basha: U tërhoqa para 1 viti për t’i dhënë një shans bashkimit të demokratëve

Më 21 Mars të vitit të kaluar Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Pikërisht për këtë vendim, ai u shpreh sot në takimin e tij me të rinjtë në Tiranë.

Basha thotë se hoqi dorë nga ai post në Partinë Demokratike, në mënyrë që demokratët të bashkoheshin.

“Do futemi në një fushë të cilën shpresoja të mbetej për një moment tjetër. E para e punës, tërheqja që kam bërë para një viti është bërë për një interes të madh, për të mos ushqyer përçarjen e demokratëve, për t’i dhënë një shans bashkimit të demokratëve. Për fat të keq siç jemi dëshmitarë kjo nuk ka ndodhur, por nuk kam hequr dorë kurrë për mos e lënë kontributin e atyre që më kanë qëndruar në krah për betejat për demokracinë, përfshirë edhe zgjedhjet e 2021-it.”

Ai thekson se tërheqja e tij nga syri i publikut i ka shërbyer për t’i njohur më mirë problemet e qytetarëve.

“Dhe ndonëse për të mos influencuar rrjedhën e ngjarjeve, kam preferuar që të qëndroj larg syrit të publikut, kjo nuk do të thotë që jam stakuar nga interesi politik. Kjo tërheqje më ka shërbyer për të parë dhe te vetja ime dhe për të parë se sa kohë dhe energji i kam dedikuar dhe unë luftës me njëri-tjetrin dhe sa kohë i dedikojmë halleve dhe problemeve të njerëzve. Kam dalë në një konkluzion të thjeshtë: raporti duhet përmbysur. Duhet gjithë vëmendjen tonë ta çojmë te hallet e njerëzve.”

Ish-kreu i PD nuk i kurseu ironitë për fushatën e mazhorancës para 14 Majit.

“Gjithçka është e qëllimshme për t’i ikur përgjegjësisë. Çfarë mund të diskutosh me dikë që këndon tallava? Pyetja që shtrohet pas këmbanës së alarmit në 14 Maj, do vazhdojmë të shohim teatrin politik, apo do ti kthejmë sytë në 70% të njerëzve që e ndjejnë veten të përjashtuar. Unë dua të më besoni që jam serioz të këtë platformë.“

Basha fton qytetarët: Pa vonesë të nisim një rrugëtim sëbashku, lista të hapura 100%

Ish kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer pas më shumë se një viti skenës politike.

Në takimin e tij me të rinjtë në Tiranë, Basha i ftoi të gjithë qytetarët të bëhen bashkë për të nisur një rrugë të re që do t’u mundësojë shqiptarëve fuqinë e votës.

Kjo e fundit, thotë Basha arrihet vetëm përmes listave të hapura zgjedhore.

“Kjo është një nga projektet për të cilat dua të ftoj të gjithë ata që të nisim bashkë një rrugëtim më këtë propozim për të ndryshuar sistemin e falimentuar politik të Shqipërisë, për t’i dhënë fund kapjes së shtetit. E duam këtë gjë apo jo? Jam i bindur që e duam sepse është një nga gjërat që kam dëgjuar nga gojët e bashkëqytetarëve të mi, është koha të nisim një rrugëtim për ta bërë realitet, duke përdorur atë hapësirë që kemi sot për t’ju imponuar politikës së mbrapshtë, politikës së vjetër që do të mbajë çdo vendimarrje në dorën e vet.

Nuk ka rrugë tjetër për të rifituar besimin e qytetarëve. Një nga pyetjet që kam hasur më shpesh kur kemi debatuar këtë temë është: pse duhet tu besojmë politikanëve?! Ftesa ime sot është të mos u besojmë politikanëve! Ftesa ime është të ndalim së besuari pretendimin e besimit te politikanët dhe qytetarët ta marrin besimin në duart e tyre dhe ftesa ime ndaj çdokujt që i dhimbset ky vend, ndaj çdo të riu e çdo të reje është pa vonesë të nisim rrugëtimin për këtë ndryshim thelbësor në demokraci, listat e hapura 100%”, deklaroi ish kreu i PD.

Për ta kuptuar më konkretisht këtë propozim të Bashës, me lista të hapura, votuesi ka mundësi të shënojë një ose më shumë kandidatë që preferojnë në listën për deputetë që ka secila parti.

Pas numërimit të votave dhe ndarjes së mandateve, në bazë të rezultatit vijohet me numërimin e votave të kandidatëve. Nëse një subjekt politik siguron 3 mandate, deputetë bëhen ata kandidatë që janë votuar më shumë nga populli pavarësisht renditjes që kanë pasur në listat e firmosura nga kryetarët e partive të tyre.

Basha: 14 Maji, data e skadencës përfundimtare e sistemit politik në Shqipëri

Lulzim Basha u rikthye në një takim publik pas më shumë se 1 viti pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike. Ai ishte me të rinjtë këtë të mërkurë ku u ndal për të folur për politikën shqiptare. Ai theksoi se politika ka treguar që riciklon të vjetrën. Sipas Bashës duhet krijuar një sistem që i jep hapësirë dhe konkurrencë rinisë. Prandaj për këtë arsye u shpreh se 14 Maji, dita e zgjedhjeve vendore, ishte data e skandencës përfundimtare të sistemit politik në Shqipëri.

“Ka kohë që nuk flitet për hallet dhe problemet e njerëzve. Si mundet që rinia e cila është gjaku i shoqërisë, është palca e saj, të angazhohet kur nuk jepet hapësira për t’u angazhuar. Në tërësi politika ka treguar që në vend që të hapë rrugë, pra mos të riciklojë të vjetrën, por të qarkullojë elitat bën të kundërtën, riciklon të vjetrën. Si do të krijohet hapësira për të rinjtë nëse e vjetra riciklohet pa fund? Si do hapet rruga për të rinjtë? Do varet kjo nga vullneti personal i liderit? Është kjo rruga për të zgjidhur gjërat? Apo do të krijojmë një sistem që i jep një hapësirë dhe konkurrencë rinisë.

Unë jam për këtë të fundit. Unë besoj se politika në këtë moment ka humbur çdo të drejtë që t’i kërkojë besim shoqërisë, por duhet t’i japë besim shoqërisë. Duhet t’i japë besim rinisë dhe jo me fjalë, por me akte. Mendoj që 14 Maji është data e skadencës përfundimtare të sistemit politik në Shqipëri. Të sistemit politik të ndërtuar pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. Ndryshime të bëra në atë kohë nga kryeministri i kohës me kryetarin e opozitës së kohës, të dy janë akoma në skenën politike të cilët ngushtuan vendimmarrjen në pak duar. Të cilët pamundësuan që qytetarët shqiptarë të zgjedhin vetë kë duan si deputetë”, u shpreh Basha.

Rikthehet Basha, takon të rinjtë në Tiranë: Nuk ka nisur ende ndonjë fushatë, të flasim të relaksuar

Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer takimeve me qytetarët.

Pas më shumë se një viti nga dorëheqja e tij prej funksionit të kryetarit të PD, Basha këtë të Mërkurë ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë në kryeqytet.

Ai theksoi në fjalën e tij se në këto zgjedhje lokale pati një indiferencë të qytetarëve për të votuar, e veçanërisht një bojkotim nga ana e të rinjve.

“Unë kam dhënë dorëheqjen, por t’i lëmë formalitetet. Nuk ka nisur akoma ndonjë fushatë, duhet të flasim në mënyrë sa më të relaksuar, ju falenderoj për mbështetjen. Do kemi kohë dhe për tjerat. Rinia është gjithmonë aktive, por politika i thërret për hallet e veta dhe kjo ka shumë kohë, 33 vite.

Vjen një moment kur njerëzit thonë mjaft dhe të parët që kanë folur me heshtjen e tyre kanë qenë të rinjtë. Unë nuk e shoh vetëm si indiferencë, mendoj se ka diçka më shumë që në veçanti politika duhet ta analizojë. Bojkoti, 300 mijë më pak se në zgjedhjet e kaluara është një mesazh ku baza është se nuk e shohin veten tek ofertat, nëse ka oferta”, tha Basha.

14 Majin, Basha e cilësoi datën e skadencës së sistemit politik në vend.

“Politika ka treguar që në vend të mos riciklojë të vjetrit, bën pikërisht të kundërtën. Si do të krijohet hapësira për të rinjtë, si do të hapet rruga për të rinjtë?! Politika në këtë moment ka humbur çdo të drejtë që t’i kërkojë besim shoqërisë, jo me fjalë, por me vepra. 14 Maji është data e skadencës përfundimtare e sistemit politik në Shqipëri”, u shpreh ai./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share