Luftime në jug të Gazës/ Izraeli zgjeron rezen e bombardimeve

Palestinezët e plagosur mbushën urgjencën e spitalit AL Nasser në Khan Younis të Gazës të dielën, ndërsa bombardimet izraelite u zhvendosën në zonat e Rripit Jugor të Gazës. Të plagosurit e përgjakur, duke përfshirë fëmijë, u dërguan në kompleksin mjekësor.

Luftimet kanë arritur në periferi të qytetit kryesor jugor të enklavës, Khan Younis, ku grupi militant palestinez i Hamasit tha se luftëtarët e tij u përleshën me trupat izraelite. Banorët tani thonë se i druhen një ofensive të re tokësore izraelite. Bombardimet nga avionët e luftës dhe artileria u përqendruan gjithashtu në Rafah, një qytet tjetër në jug të Gazës.

Ushtria izraelite urdhëroi palestinezët të largohen nga disa zona në dhe përreth Khan Younisit. Ushtria postoi një hartë ku tregon vendstrehimet në perëndim të Khan Younis dhe në jug drejt Rafahut, në kufirin me Egjiptin. Por banorët thanë se zonat ku u ishte thënë të shkonin, po sulmoheshin gjithashtu. Tanket izraelite bombarduan lindjen e qytetit Rafah të dielën në mëngjes.

Kampi i refugjatëve Jabalia në veri të enklavës së sunduar nga Hamasi ishte ndër vendet më të goditur nga ajri. Pamjet e siguruara nga agjencia Reuters tregojnë një djalë të mbuluar nga pluhuri, i ulur duke qarë mes të gërmadhave.

“Babai im u martirizua (vra)”, thirri ai me zë të ngjirur. Një vajzë me një xhup rozë, gjithashtu e mbuluar me pluhur, qëndronte midis grumbujve të rrënojave duke thënë: “Jo, jo, jo”.

Izraeli thotë se ka kryer “rreth 10,000 sulme ajrore” në Gaza që nga fillimi i luftës. Në një deklaratë, ushtria thotë se bashkëpunimi midis forcave tokësore dhe ajrore “është një nga elementët më të spikatur në operacionin tokësor”.

Luftimet u zgjeruan pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara – aleati më i ngushtë i Izraelit – që të shmangen civilët palestinezë. Përveç Uashingtonit, edhe Franca nëpërmjet presidentit Emmanuel Macron tha se nuk mund të ketë siguri për Izraelin duke vrarë palestinezët.

Më shumë se 15,523 vetë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, në gati dy muaj luftë. Ndërkohë një anije luftarake amerikane dhe disa anije tregtare u sulmuan të dielën në Detin e Kuq. Pentagoni bëri përgjegjës rebelët Houthi të Jemenit. Vetë ata pretenduan më vonë sulme ndaj dy anijeve që ata i përshkruan si të lidhura me Izraelin, por nuk pranuan se kishin sulmuar një anije të marinës amerikane.

Sulmi shënon një përshkallëzim të madh të konfliktit pas një serie sulmesh të tjera detare në Lindjen e Mesme të lidhura me luftën Izrael-Hamas.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share