Lufta në Izrael, Zelensky dënon sulmet nga Hamasi: Bota duhet të qëndrojë e bashkuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dënon ashpër sulmin me raketa që Hamasi nisi sot ndaj Izraelit. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Zelensky e ka cilësuar sulmin “akt terrorist”, ndërsa bën thirrje që bota të solidarizohet për të mposhtur terrorizmin.

“Kushdo që bën terrorizëm kryen një krim kundër komunitetit global. Kushdo që financon terrorizmin kryen një krim kundër komunitetit global. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar të solidarizohet në mënyrë që terrorizmi të mos tentojë të thyejë ose nënshtrojë jetën e askujt në asnjë moment”, shkruan Zelensky në platformën “X”. Zelensky shton: “E drejta e Izraelit për mbrojtje legjitime është e padiskutueshme“.

Më herët, Ministria e Jashtme e Ukrainës dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.

Sirenat e luftës oshëtinë në të gjithë Izraelin, mëngjesin e kësaj të Shtune pas një sulmi të madh dhe të befasishëm të nisur nga militantët ekstremistë të Hamasit nga Rripi i Gazës. Një breshëri prej rreth 5 mijë raketash qëlluan militantët e Hamasit nga Rripin e Gazës drejt qyteteve të jugut të Izraelit, duke vrarë 150 persona e duke plagosur gati 1000 të tjerë.

Pamjet tregojnë pasojat e sulmit në qytetin jugor izraelit të Ashkelonit ku raketat goditën lagje të banuara. Të gjendur përballë një sulmi të ashpër, qeveria izraelite shpalli gjendjen e luftës dhe mobilizimin e ushtrisë, siç e njoftoi vetë kryeministri Benjamin Netanjahu.

Sulmet e ndërsjella vijnë pas javësh tensionesh të shtuara përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën dhe luftimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. 200 palestinezë janë vrarë në sulmet ushtarake izraelite këtë vit. Tensionet janë përhapur edhe në Gaza, ku aktivistët e lidhur me Hamasin zhvilluan demonstrata të dhunshme përgjatë kufirit izraelit në javët e fundit të cilat u ndërprenë në fund të shtatorit pas ndërmjetësimit ndërkombëtar./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share