Lufta kundër kancerit mbledh shkencëtarët e rajonit në Shkup | Profesori bullgar: Të ndërtojmë Institut, që të sigurojmë mundësi për shërimin e të sëmurëve me tumor

Projekti Mini-CERN – tingëllon si një enigmë e madhe për të gjithë ne. Por për një grup shkencëtarësh, kryesisht fizikantë nga Maqedonia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Greqia, kjo është një temë të cilës ata i kanë kushtuar tashmë disa vite të punës së tyre. Ata shpresojnë të marrin mbështetje nga qeveritë në rajon dhe të sigurojnë kushte të mjaftueshme për bashkëpunim për hapjen e një Instituti Ndërkombëtar për Teknologjitë e Qëndrueshme të Evropës Juglindore, ose një qendër kërkimore për terapi tumorale dhe kërkime biomjekësore, duke përdorur përshpejtuesit e rrezeve jonike, informon Biljana Georgievska, gazetare dhe drejtuese e emisionit Klan Debat.

Instituti duhet të ndërtohet në një nga vendet pjesëmarrëse në projekt, por për momentin nuk është vendosur. Gjëja më e rëndësishme është që vendi t’i plotësojë kushtet e nevojshme, thotë kryetari i Bordit Drejtues, profesor Leander Litov nga Universiteti i Sofjes, ku më shumë se dy dekada jep mësim fizikë kuantike.

“Ky projekt ka disa efekte shumë të rëndësishme për popullsinë e rajonit tonë. Mbi të gjitha, ne përpiqemi të sigurojmë mundësinë e shërimit të njerëzve me tumore për të cilat nuk ka rrugë tjetër, asnjë trajtim tjetër, për t’u kuruar. Kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është se ne duam të krijojmë një qendër të lartë shkencore. Kjo nënkupton ngritjen e një infrastrukture unike, unike si për Europën ashtu edhe për botën, ku shumë njerëz, si nga rajoni ashtu edhe nga e gjithë Europa, do të mund të kryejnë kërkimin e tyre shkencor. Ne presim që mbi 1000 shkencëtarë nga Evropa të vijnë në atë qendër për të bërë kërkime. Dhe kjo tashmë nënkupton një vëllim njerëzish që do të lidhen me bashkëpunim, bashkëpunim që do të jetë i dobishëm për ngritjen e kapaciteteve të veta, personelit të vet shkencor në vendet anëtare të këtij projekti. Do të jetë një mundësi për të transferuar njohuri dhe teknologji nga qendrat kryesore në Evropë dhe botë në rajonin tonë. Gjëja tjetër e rëndësishme për këtë projekt është se do të jetë një vend ku mund të trajnojmë staf të rinj, specialistë me një gamë jashtëzakonisht të gjerë specialitetesh. Duke filluar nga mjekët që merren me problemet onkologjike, deri te zhvillimi i materialeve të reja, metodave të reja diagnostike, metodave të reja për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme mjekësore, nga tumoret e deri te sëmundjet e zemrës. Kjo do të thotë se spektri i detyrave që mund të zgjidhë ky institut është jashtëzakonisht i gjerë. Dhe sigurisht gjëja më e rëndësishme është se në rajonin tonë, ku shpesh kemi tensione mes nesh, mënyra më e lehtë për të ndërtuar ura midis vendeve është të fillojmë të punojmë së bashku në fushën e shkencës”, deklaroi për Klan Debat, profesori bullgar Leander Litov./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share