LSDM: Referendumi i Mickoskit është kundër BE-së

“KJO ËSHTË FORMË E RE E BLLOKIMIT TË EUROINTEGRIMEVE”

Partia në pushtet, LSDM ka reaguar ndaj vendimit të VMRO – DPMNE-së, që të nis procedurën për referendumin obligues për shfuqizimin e Marrëveshje së Miqësisë me Bullgarinë. Zëdhënësi i kësaj partie, Darko Kaevski e ka quajtur iniciativën e partisë opozitare, formë të re të bllokimit të eurointegrimeve të vendit. Ai vlerëson se referendumi nuk do të ketë sukses, pasi nuk e ka as mbështetjen e qytetarëve e as të partive opozitare.

“Pasi i dështuan të gjitha gënjeshtrat dhe tentimet për destabilizim, bllokim të ardhmërisë evropiane të shtetit, Mickoski shpik forma të reja për bllokada të reja. Kjo iniciativë e Mickoskit është referendum kundër anëtarësimit në BE, kundër identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase. Iniciativë për përdorim të brendshëm, e cila nuk ka mbështetje nga qytetarët, nuk ka mbështetje nga partitë opozitare dhe nuk do të ketë sukses” – tha Darko Kaevski.

Socialdemokratët e kanë quajtur hipokrizi sjelljen e Mickoskit, për faktin se,  pikërisht ai ka mbështetur Marrëveshjen me Bullgarinë në takimin me ish kryeministrin Borisov, sic thonë, edhe atë në gjuhën bullgare.

LSDM-ja rikujton se Mickoski kërkonte referendum edhe për Marrëveshjen e Prespës, më pas e bojkotoi dhe në fund tha se e pranon. Sipas partisë në pushtet, edhe për këtë marrëveshje lideri opozitar deklaronte se do të cenojë identitetin, por u dëshmua e kundërta.  /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share