BDI: MICKOSKI NËN HIJEN E GRUEVSKIT!
Deputetët, partitë politike, VMRO-DPMNE-ja kanë obligim dhe përgjegjësi para qytetarëve dhe të ardhmes së vendit – përsëririn nga tabori socialdemokrat, njofton KlanM.
Sipas tyre, propozimi evropian për kornizën negociuese është marrëveshja më e mirë me BE-në
“Kjo nuk është ultimatum, por realitet. Këtë e thonë edhe partnerët tanë strategjik. VMRO-DPMNE nuk mund të sigurojë marrëveshje më të mirë, kjo është gënjeshtër, pikërisht ata mbajtën peng vendin për 11 vite në izolim. Nuk kemi 11 vite tjera për të humbur. Hristijan Mickoski ende ka mundësi të vendos; do ta mbështes të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut në BE ose do të mbetet në bllokun anti-evropian me “Levicën” – tha Daniela Nikolova, deputete e LSDM-së.
Të pyetur nëse takimi i liderëve duhet të jetë një takim kokë më kokë Kovaçevski – Mickoski, nga LSDM thonë se Mickoski është i ftuar në një takim mjaft serioz për të ardhmen e vendit.
“Nuk janë takime private dhe nuk duam të përzihemi në raportet brendapartiake të VMRO-DPMNE-së, nëse Mickoski nuk ka besim në udhëheqësinë e tij. Ia lëmë Mickoskit të zgjedh nëse do të vijë vetëm ose me dikend nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së” – tha Daniela Nikolova, deputete e LSDM-së.
Nuk ka munguar edhe reagimi i BDI-së. Sipas integristëve, Mickoski me nacionalizëm patetik përpiqet të mbijetojë në skenën politike. BDI, sic njofton KlanM, madje thotë se Mickoski kopjon ish-liderin e LSDM-së, Zoran Zaevin, në tentativat për ta çuar BDI-në në opozitë.
“Për këtë shkak edhe pas 5 viteve Mickoski është nën hijen e Gruevskit dhe ka rënë nën 320.000 vota në zgjedhjet parlamentare, që reflektohet edhe në rejtingjet brendapartiake ku një pjesë e madhe e VMRO-DPMNE-së, si lider e vlerësojnë Gruevskin e jo Mickoskin” – thonë nga BDI.
Para disa ditëve, Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi një takim liderësh me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe sic percjell KlanM, sipas të gjitha gjasave gjatë javës së ardhshme dy liderët do të ulen në tavolinë të përbashkët.
Kryeministri Kovaçevski si tema diskutimi ka zgjedhur vendimet e domosdoshme për integrimin evropian të vendit dhe raportet me fqinjtë.
Kreu I VMRO-DPMNE-së, Mickoski, sic njofton KlanM, ka theksuar se në këtë takim gjithashtu duhet të bisedohet se çfarë do të bëhet pas mosuksesit të ndryshimeve kushtetuese, duke thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për dalje nga kriza. /KlanMacedonia/