VMRO-DPMNE: NUK JEMI KONSULTUAR PËR PËRGATITJEN E MANIFESTIT
LSDM i bën thirrje opozitës maqedonase që të mbështesë manifestit për negociatat me BE-në. Sipas tyre, ky dokument është në drejtim të linjave të kuqe dhe konkludimeve në raport me propozimin evropian, të miratuara nga Kuvendi.
“Dritarja e mundësive që Hristijan Mickoski t’i bashkangjitet frontit evropian dalëngadalë po mbyllet. Mickoski dhe DPMNE e kanë ndoshta shansin e fundit që të rreshtohen në anën e interesave shtetërore dhe nacionale. Me mbështetjen e manifestit dhe ndryshimeve kushtetuese, DPMNE dhe Mickoski do të tregojnë në vepër se, janë për ardhmëri evropiane të shtetit. Në të kundërtën, do të tregojnë se, gjithë këto synime deklarative për BE ishin vetëm blof i thjeshtë para qytetarëve, para opinionit vendor dhe ndërkombëtar” – tha Darko Kaevski, LSDM.
Ndërkohë, nga VMRO thonë se nuk janë konsultuar për përpilimin e këtij dokumenti, duke akuzuar se, shumica qeveritare në këtë mënyrë po fiton kohë, pasi nuk e ka shumicën e nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Duke e ditur se, nuk kanë shumicë prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese, Ahmeti dhe Kovaçevski fitojnë kohë me të ashtuquajturin Manifest, dokument i cili është shkruar në shtabin e BDI-së, pa asnjë konsultim me VMRO – DPMNE-në dhe koalicionin. Në vend që të ruajnë dhe të luftojnë për interesat nacionale, muajt e kaluar kriminelët e BDI-së dhe LSD-së blejnë qendra tregtare, dyqane, automobila, hapën kompani për tregti me energjinë elektrike, kanë marrë provizione, kanë kurdisur tenderë për vete dhe të afërmit e tyre” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Partitë përbërëse të koalicionit qeveritar publikuan të hënën një Manifest për zhvillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Sipas tyre, Manifesti paraqet një bazë të mirë për ndërtimin e unitetit rreth të ardhmes së vendit dhe me të Kuvendi definon korniza të pozicioneve, sipas të cilëve, duhet të veprojnë institucionet kompetente në negociatat me BE-në. /KlanMacedonia/