Kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana ka dalë me një mesazh përkrahës për Kombëtaren shqiptare, e cila në këtë fundjavë do ta nisë rrugëtimin e saj të dytë në një Kampionat Evropian.
Kuqezinjtë do të përballen me Italinë të shtunën në Gjermani, ndërsa do ta kenë përkrahjen e tifozëve, por edhe të ish-futbollistëve të Kombëtares, të cilët e kishin kualifikuar Shqipërinë për herë të parë në histori të saj në vitin 2016.
Cana ka dalë me një video, përmes së cilës iu jep zemër lojtarëve aktualë Kuqezi, shkruan “Gazeta Express”.
“Bashkëkombësve të mi përshëndetje. Mungon edhe pak kohë para një kapitulli historik të sportit dhe futbollit shqiptar, Kampionati Evropian 2024. Dhe, me plot krenari, elementi shqiptar do të jetë prezent për herën e dytë dhe me plot dëshirë dhe kënaqësi, unë si Lorik dhe të gjithë ish lojtarët e ekipit kombëtar do të jemi prezent për ta mbështetur ekipin tonë kombëtar në ndeshjen e parë kundër Italisë. Forca shqiptaria dhe sa më lartë”, ka thënë Cana.