Tortura familjeve nëse protestojnë ndaj qeverisë
Familjet e Kombëtares Iraniane të Futbollit janë kërcënuar me burgim dhe tortura nëse lojtarët nuk do të shfaqin sjelljen e duhur përpara ndeshjes kundër SHBA që do të luhet mbrëmjen e sotme. Në mediat amerikane thuhet se pas refuzimit të lojtarëve iranianë për të kënduar himnin kombëtar në ndeshjen e tyre hapëse kundër Anglisë më 21 nëntor, lojtarët u thirrën në një takim me anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane.
Sipas burimeve të tyre, lojtarëve u është thënë se familjet e tyre do të përballeshin me “dhunën dhe torturën” nëse nuk këndonin himnin kombëtar ose nëse do t’i bashkoheshin ndonjë proteste politike kundër regjimit të Teheranit.
Raportohet gjithashtu se trajneri Carlos Queiroz, u takua veçmas me oficerët gardës revolucionare pas kërcënimeve ndaj lojtarëve, por nuk dihet përmbajtja e bisedës. Irani po shfaqet në këtë Botëror nën hijen e trazirave të brendshme.
Ndeshja kundër Amerikës merr ngarkesë emocionale dhe politike edhe më të madhe duke qenë se qeveria islamike ka akuzuar shtetet e bashkuara si nxitëse të protestave antiqeveritare.
Të dielën, media shtetërore e Iranit bëri thirrje që SHBA të përjashtohet nga Kupa e Botës 2022 pasi Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara ndryshoi flamurin e Iranit në platformat e saj të mediave sociale për të treguar mbështetje për protestuesit në Iran.
Tv Klan