Lloga: Sot Gjykata Kushtetuese shërben ashtu siç shërbente Kuvendi prej 91-shit

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga i ftuar në emisionin Klan Debat në televizionin Klan Macedonia tha se Gjykata Kushtetuese po vepron padrejtësisht ndaj ligjeve shqiptare siç po vepronte parlamenti i Maqedonisë së Veriut nga viti 1991 deri në vitin 2002 kur përdornin mekanizimin e mbivotimit.

“Për gjithçka që ju nuk ju levërdis maqedonasve, ata deri në vitin 2002 e kanë pasur parlamentin dhe na kanë mbivotuar, pas vitit 2002 kur nuk kishin më mundësi të veprojnë me mbivotim, atë mekanizëm e çuan në Gjykatën Kushtetuese, ndaj sot kjo gjykatë shërben ashtu siç shërbente Kuvendi prej 91-shit. Ajo gjykatë duhej të reformohej që nga koha kur dha dorëheqje z.Pollozhani, ndaj çdo ekspert duhet të kyçet në procesin reformativ dhe të ndryshoj kjo metodologji”, tha Lloga.

Lloga shtoi se në situata të tilla siç pritet të ndodh dhe me Ligjin e gjuhëve, partitë duhet të ulen së bashku dhe të debatojnë e jo të fajësojnë njëri tjetrin.

“Për votimet e Gjykatës Kushtetuese fajësimi i njëri tjetrit nuk na bën nder, sepse do të humbim kohë, sepse unë mendoj që secili formacion politik që kanë qenë në pushtet që nga PPD-ja e deri më sot, kanë bërë diçka mirë, janë munduar të bëjnë më të mirën e mundshme. Për këto tema në nuk duhet ta fajësojme njëri tjetrin por të ulemi dhe të bisedojmë për këto katër nenet e famshme të gjuhës shqipe, sepse nëse ndodh do të jetë fatkeqësi e madhe”, tha Lloga. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share