Lloga: Ndryshimet kushtetuese do na e hapin rrugën drejt BE-së.

Reformat në sistemin gjyqësor nuk guxojnë dhe nuk mund të mbeten vetëm në letër. Kështu është shprehur sot Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në një konferencë shkencore të organizuar nga UEJL, përcjell Klan Macedonia.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin dhe fuqizimin e kornizës ligjore dhe institucionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Axhenda e reformës kërkon përkushtim, njohuri, por edhe mbështetje nga të gjithë faktorët në përpjekjen për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Para nesh janë ndryshimet kushtetuese. Nga ne varet nëse do të ecim në rrugën e BE-së, apo do të qëndrojmë në vend. Është koha që të gjithë së bashku të marrim një vendim shtetëror”, tha Lloga.
Sipas Llogës, nuk mungon vullneti për të zgjidhur mangësitë në gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Pas, gati tri dekadave, me siguri deri në fund të vitit do të kemi Kod Penal krejtësisht të ri, ndërsa në proces është edhe përgatitja e Kodit të parë Civil në të cilin për herë të parë në një akt do të jetë e kodifikuar çështja civilo-juridike. Këtu janë edhe Ligjet për falje, për menaxhim me pasurinë e konfiskuar, për drejtësinë për fëmijët, për kryerjen e sankcioneve dhe të tjera, të cilat së shpejti do të hyjnë edhe në procedurë parlamentare”, theksoi Lloga. /KlanMacedonia
Lexo gjithashtu
Total
0
Share