Lloga: Grupi i punës – opozita shqiptare do të flasë përmes Mickoskit!

GJATË JAVËS PUBLIKOHEN EMRAT E EKSPERTËVE

Ministria e Drejtësisë gjatë javës pritet t`i publikojë emrat e ekspertëve që do të jenë pjesë e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese. Javën e kaluar u publikuan emrat e përfaqësuesve të partive politike dhe institucioneve. Opozita ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë proces.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në Klan Debat, nuk bëri publike emrat e ekspertëve që do të jenë pjesë e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, por siguroi se bëhet fjalë për persona të besueshëm dhe me kredibilitet. Ai shprehu keqardhje për shkak të refuzimit të opozitës maqedonase që të caktojë përfaqësues në këtë grup, por u shpreh i zhgënjyer edhe nga partitë opozitare shqiptare, njofton KlanM.

“Fatkeqësisht përfaqësues të partive politike opozitare maqedonase nuk ka në këtë grup, por ajo që unë nuk dua ta besoj akoma është se si përfaqësues të partive politke opozitare shqiptare nuk e kanë gjetur të arsyeshme që të marrin pjesë në këtë grup pune dhe më vjen keq që kapitali i tyre politik do të flasë përmes gojës së Hristijan Mickoskit” – deklaroi Krenar Lloga.

Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, kanë aktualizuar edhe zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe, e cila aktualisht është e përkufizuar si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës që jeton në vend. Ministri Lloga, sic njofton KlanM, u shpreh se do të insistojë që kjo çështje të rregullohet në grupin aktual të punës për ndryshimet kushtetuese.

“Kam insistuar që jo vetëm 20 përqindëshi, por edhe tre problematika tjera që Kushtetuta i ka shfaqur si defekte të zgjidhen me këtë grup pune. Njëra ësht 20 përqindëshi sepse ne duhet të futemi në logjikën e numrave e kjo logjikë është ofenduese për shqiptarët. Derisa tjerët në vend kërkojnë që gjuha e tyre të njihet krahas gjuhëve tjera në BE, si gjuhë maqedonase, kërkush nuk mund të na marrë të drejtën neve që gjuhës sonë t’i themi gjuhë shqipe” – tha Lloga.

Shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani, të premten deklaroi se Bullgarët në Kushtetutë mund të futen vetëm si pjesë e popullit bullgar dhe assesi ndryshe, duke hedhur poshtë mundësinë që formulimi “Bullgarët maqedonas” të hyjë në Kushtetutë.

Grupi i Punës është ngarkuar nga Qeveria që ta përgatisë Propozim nismën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Qeveria është propozues I ndryshimeve kushtetuese. Pasi ndryshimet të bëhen gati, sic njofton KlanM, propozimi do t`i kalojë të gjitha trupat e punës në kuadër të Parlamentit. Paralelisht do të mbahen edhe debate publike ku ekspertët, partitë, organizatat qytetare dhe institucione tjera do të kenë mundësinë t`i shprehin qëndrimet e tyre.  /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share