Lloga – Betimi i Siljanovskës “NUL”, Ademi, Siljanovska përjashtoi shqiptarët!

“Mos respektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën betimin e Siljanovskës NUL (të pa vlefshëm)– ka shkruar në Facebook, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Sipas Llogës, ose duhet të përsëritet procedura ose Kryeparlamentari Mitreski duhet të marrë funksionin e Kryetarit të Shtetit si ushtrues detyre.

Nga BDI-ja shprehen të bindur se tashmë është shkaktuar krizë në raportet Shkup – Athinë.

“Kjo flet shumë. Me fjalimin e saj të parë respektivisht me fjalinë e saj të parë, ka shkaktuar krizës midis RMV-së dhe Greqisë”, tha Ademi.

Por, Arbër Ademi, në përgjithësi, fjalimin e Siljanovkës e vlerësoi si fjalim 8 marsi. Kjo, mbase për shkak se gati i gjithë fjalimi iu dedikua grave në politikë.

Ademi tha se Siljanovska përjashtoi shqiptarët nga thirrja e saj për unitet.

“Presidentja foli për unitet, por gjatë fjalimit të saj, përpos që e ngriti në qiell, Kryetarin e partisë së saj, poashtu përmendi në një rast edhe Kryetarin e një partie tjetër, duke përmendur vetëm dy lider në bllokun politik maqedonas dhe duke I përjashtuar kështu nga thirrja për unitet gjithë të tjerët”, tha Ademi.

Nga BDI-ja potencojnë se gjatë fjalimit të saj, Siljanovska nuk përmendi integrimet euroatlantike, raportet ndëretnike por edhe raportet me fqinjtë.

ARBËR ADEMI – ZËDHËNËS I BDI-së

“Nuk u përmend asgjë sa I përket NATO-s, BE-së, procesit eurointegrues. Nuk u përmend asgjë sa I përket marrëdhënieve të mira ndëretnike. Nuk u përmend fare Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë. Nuk u përmend poashtu as edhe urimi që I ka bërë Presidentja e Kosovës, megjithëse u përmenden gra të tjera, lidere që ia kanë uruar përzgjedhjen”, tha Ademi.

Nga ana tjetër, disponim ndryshe nga kampi i koalicionit VLEN.

“Sot mora pjesë në seancën e inaugurimit të presidentes së re znj. Gordana Siljanovska Davkova” – ka shkruar në Facebook, kreu I Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, teksa ka postuar fotografi ku shihet krah liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit.

“I uroj sukses në mandatin e saj. Po ashtu uroj që ta përfaqësojë vendin me dinjitet dhe të kontribuojë në rritjen e demokracisë dhe vlerave europiane” – shkruan Kasami.

Përmes rrjetit social X është prononcuar edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. Mesazhi i saj ishte se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me aderimin në BE, përmes zbatimit të reformave dhe duke respektuar marrëveshjet obligative, duke llogaritur këtu edhe Marrëveshjen e Prespës./tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share