Lista Serbe, Kurtit: Gjoba e parë, shkak për rezistencë të ashpër

Lista Serbe i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në lidhje me vendimin e ri të qeverisë për targat, në të cilin vendim parashihen qortime, gjoba e targa provuese.

Sipas Listës Serbe, shqiptimi i parë i gjobës do të jetë shkak për rezistencë të ashpër të serbëve, sepse sipas tyre, ata janë të vetëdijshëm për qëllimet reale të Kurtit.

“Të gjithë ata që mendojnë se populli ynë do të vëzhgojë në heshtje debatin, heqjen e targave KM, pra lirinë e lëvizjes dhe rrezikimin e mbijetesës sonë, gabojnë shumë”, thuhet në reagimin e partisë serbe.

Tutje, në reagim thuhet se vendimi i ri i Kurtit nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të vazhduar me planin e dëbimit të serbëve.

“Shfrytëzojmë rastin t’u përcjellim edhe një herë një mesazh të qartë qytetarëve tanë nga presidenti Aleksandar Vuçiq, serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe as shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe dëbimin e popullit tonë”, thuhet në reagimin e tyre. /KlanKosova/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share