Afro 2 milion rasat të peshkut Koran u hodhën në liqenin e Ohrit. Për herë të parë në tre dekada hidhet një sasi e tillë rekord në liqenin qe ndahet mes dy vendeve, pas hulumtimeve të bëra disa vite më parë, qe e klasifikuan këtë lloj të rrallë peshku si specie në rrezik zhdukjeje.
“Na është premtuar nga ministria e Bujqësisë që mund të kemi edhe shtesa në kapacitetet e qendrës në Lin dhe mbështetjen e kemi pasur gjithmonë për të rritur prodhimin.”, tha Olsi Çekiçi, specialist i qendrës se rritjes se Koranit.
Peshku i rrallë i ujërave të Ohrit prej vitesh nuk është më në listën e specieve në zhdukje, ndërsa sipas specialistëve situata ka ndryshuar, falë edhe ndërgjegjësimit të peshkatarëve.
“Masat për ndalimin e gjuetisë kanë bërë punën e vet, peshkatarët janë ndërgjegjësuar më shumë për të mbrojtur koranin. është rritur edhe çmimi, ka shkuar në 35 mijë lekë. Kanë kërkesë hotelet, restorantet.”
Shtimi i numrit të turistëve, sidomos gjatë dy viteve të fundit ka rritur konsumin e koranit, i cili nuk mungon në restorante dhe në shtëpitë pogradecare dhe qenë një nga pjatat kryesore që identifikon kuzhinën e Pogradecit. /abcnews.al