Kompeticioni i ëndrrave, Liga e Kampionëve, në versionin më të fundit ‘të lashtë’, përpara edicionit pasues me skemë të re zhvillimi. Tani për tani do të jetë ai i tetë grupeve, i dy skuadrave të para të secilit grup që kualifikohen më tej, ai Champions-i që njohim. Edhe nëse, për herë të parë pas shumë vitesh, ky kompeticion do të jetë pa Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin.
Portugezi e kishte përshëndetur Europën më parë për të zbarkuar në Arabinë Saudite, tek Al Nassr. Pas sezonit të fundit të argjentinasit, pa trofe në Paris, edhe ai emigroi në brigjet e largëta, tek Inter Miami në MLS. Kështu, Liga e Kampionëve do të luhet për herë të parë, pas shumë kohësh, edhe pa shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”, por me protagonistë të rinj, yje të rinj absolutë.
Manchester City e nis si favorit, si kampion në fuqi i kontinentit. Pep Guardiola ka qendërsulmuesin më të mirë në botë, një duelist të mundshëm për “Topin e Artë” (Messi pritet ta fitojë, gjithsesi) dhe fitues i mundshëm i lojtarit më të mirë të FIFA-s.
Duke e sfiduar atë, padyshim do të jetë Kylian Mbappé dhe PSG i revolucionarizuar me Luis Enrique në pankinë, ndërkohë që Real Madridi është qartësisht edhe ndër favoritët e mëdhenj, ndoshta në xhiron e fundit të valsit me Carlo Ancelottin në pankinë, para se italiani të bëhet trajner i Brazilit.
Po skuadrat italiane? Është e pamundur të mos i konsiderosh ato. Tri gjysmëfinaliste nga katër të tilla në edicionin e kaluar të Champions-it, të gjitha janë në këtë fazë grupesh, plus Lazio që rikthehet në Europën me shumë rëndësi, sepse Juventusi, për shkak të problemeve me drejtësinë sportive, mbeti jashtë garave kontinentale.
Ka grupe me favoritë të dukshëm, të tjerë që mund të rezervojnë surpriza. Napoli ka rivalë Real Madridin, Union Berlin (të Bonucci dhe Gosens) dhe Braga. Interi e fillon si favorit në grup, me Benfica si sfiduesen kryesore, duke parë se kualifikimi i Real Sociedad ose Salzburgut do të ishte vërtet surprizë. Lazio luan kundër Atletico Madridit, Feyenoord dhe Celtic.
Milani ishte i pafat kundër PSG dhe Newcastle, pastaj do të ketë përballë dy ish-kuqezinj të spikatur, Donnarumma dhe Tonalin. Nuk duhet harruar edhe Borussia Dortmund si favorite në grupin e “Djallit”. Por do të ketë kohë për bilance, qoftë edhe për parashikime. Duke qenë se sot nisin sfidat e para të fazës në grupe, ju themi: Mirë se vini përsëri në Champions!
Liga e Kampionëve:
Në ora 18: 45, takohen
AC Milan – Newcastle
Young Boys – RB Leipzig
Në ora 21:00, takohen:
Barcelona – Antwerp
Feyenoord – Celtic
Lazio – Atletico Madrid
Manchester City – Crvena zvezda
PSG – Borussia Dortmund
Shakhtar – Porto