Lidhja Europiane për Ndryshim: Të zgjidhet anëtari i Opzitës shqiptare në KSHZ!

TALAT XHAFERI TË VEPROJË KONFORM KUSHTETUTËS

Konkursi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tashmë është mbyllur dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi po ashtu është i njoftuar se kandidat i Lidhjes Europiane për Ndryshim është Abdush Demiri – thonë nga opozita shqiptare duke kërkuar që të veprohet sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe Ligjeve përkatëse të cilat theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

”Veprimi adekuat i kryetarit të Kuvendit do të dëshmojë se pushteti dëshiron që zgjedhjet e ardhshme të jenë fer, demokratike dhe transparente. Në të kundërtën do të kuptohet se Pushteti, pjesë e të cilës është edhe kryetari i Kuvendit, po përgatitet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të manipuluara, jo-demokratike dhe pa përfaqësues të opozitës shqiptare. Kjo kuptohet se do të ndikojë negativisht edhe para institucioneve ndërkombëtare dhe në procesion eurointegrues të vendit” – thonë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.

Nga opozita shqiptare potencojnë se ekzistojnë Indiciet e para për manipulim të zgjedhjeve. Sipas tyre, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si kryesues me OSBE-në ka tentuar të ndikojë të ulë numrin e vëzhguesve të këtij institucioni kaq të rëndësishëm ndërkombëtar i cili mbikëqyr dhe vlerëson proceset zgjedhore.

Opozita shqiptare thotë se nëse vazhdojnë tentativat për të mbajtur plotësisht nën kontroll KSHZ-në dhe ta lënë pa përfaqësues të Lidhjes Europiane për Ndryshim, nga java e ardhshme do t`i informojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare, ambasadat e SHBA-së, BE-së por edhe të vendeve tjera evropiane. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share