Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai kinez, Xi Jinping, do të marrin pjesë në samitin e radhës së G20-s, tha lideri i Indonezisë, shteti i të cilit që do të jetë nikoqir i samitit.
Nëse Putin dhe Xi do të merrnin pjesë në samitin e G20-s, atëherë do të hapej mundësia për bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden, në kohën kur Uashingtoni ka përkeqësuar raportet me Kinën dhe Rusinë, veçanërisht për shkak të krizave në Ukrainë dhe Tajvan.
Samiti i radhës i G20-s do të mbahet në Bali të Indonezisë në nëntor. Moska është izoluar pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në fund të shkurtit, ndërkaq lideri kinez ka kufizuar udhëtimet jashtë vendit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Por, presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, gjatë një interviste për Bloomberg, tha se dy liderët do të marrin pjesë fizikisht në samitin e G20-s.
“Xi Jinping do të vijë. Presidenti Putin po ashtu më ka thënë se do të vijë”, tha Widodo.
Zyrtarët e Kremlinit kishin thënë në qershor se Putini ka pranuar ftesën e Widodos për të marrë pjesë në samit, dhe do të shkojë në Indonezi nëse kushtet lidhur me pandeminë e lejojnë atë.
Indonezia aktualisht udhëheq me presidencën e G20-s. Xhakarta u vu nën presionin e Perëndimit për të mos e ftuar Putinin në takimin e G20-s, pasi Indonezia njoftoi në prill se e kishte ftuar liderin rus.
Por, Indonezia ka mbajtur një pozicion neutral duke bërë thirrje për zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë dhe Widodo më herët gjatë këtij viti ka vizituar edhe Kievin, edhe Moskën.
Edhe Ministria e Jashtme e Indonezisë ka thënë se liderët e Rusisë dhe Kinës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në samit.
Indonezia po ashtu ka ftuar në samit edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për të gjetur një kompromis midis Moskës dhe Kievit.
Zelensky, shteti i të cilit nuk bën pjesë në grupin e 20 ekonomive më të mëdha në botë, ka thënë se ai do të marrë pjesë në samit, të paktën përmes video-lidhjes.