Nga Lëvizja BESA përmes një konference për media thonë se BDI po vazhdon me thellimin e skandaleve dhe aferave korruptive në këtë rast me kompaninë ”Eurovia” dhe tenderin 1.8 milionësh, përcjellë Klan M.
”Pas publikimit të mëhershëm, ku opinioni u njoftua me kompanitë milionëshe që i posedonin familjarët e kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit në krye me qendrën tregëtare ‘’SORAVIA’’, ditëve të fundit na doli një kompani tjetër e njohur si ‘’EUROVIA’’ e cila kompani kësaj radhe nuk është në pronësi të familjarëve të liderit të BDI-së, por doli se qenka një nga donatorët që BDI-në e sponzorizon si parti.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ditëve të fundit, pikërisht kjo kompani ka fituar një mega tender prej 1.8 milion eurove për përshtatjen e sallës “Boris Trajkovski” që do mbahet Samiti i Ministrave të OSBE- së, tender ky që ngjall shumë pikpyetje dhe dilema për opinionin e gjërë.
Për të qenë ky rast edhe më skandaloz, Bujar Osmani si ministër në këtë dikaster, deklarohet se nuk e paska ditur që kompania në fjalë është donator i BDI-së dhe për ironi të fatit, ai këtë informacion e paska kuptuar nga mediat. Nuk ka njeri me pak logjikë, që do të besonte në pohimet e zotit Osmani, se vërtetë ai nuk paska qenë në dijeni të rastit!
Sa për informim të opinionit, ju bëjmë me dije se biznes-lidhja e BDI-së me kompaninë që ka fituar tenderin 1.8 milion euro është e dukshme dhe kjo dëshmohet qartësisht nga të hyrat dhe fitimet e kompanisë në fjalë viteve të fundit. Me fjalë tjera, kompania e apostrofuar sipas të dhënave zyrtare, në dy vitet e fundit, pra në vitin 2021 dhe 2022 ka rritje prej më shumë se 100% të qarkullimit të të ardhurave gjegjësisht rritje serioze të fitimit vjetor.
Pyesim publikisht:
Për çfarë është BDI në pushtet ?!
Për ti mbrojtur interesat e qytetarëve apo për ta shfrytëzuar pushtetin në mbrojtjen e interesave të tyre klanore, nëpërmjet bizneseve të afërta duke dyshuar kështu me të drejtë në keqpërdorimet e parave të qytetarëve! Andaj, ne si Lëvizje BESA, ju bëjmë thirrje të gjitha organeve kompetente duke filluar nga Prokuroria Publike, Komisioni për Anti Korrupsion dhe Revizioni Shtetëror, që menjëherë të fillojnë me shqyrtimin në detaje të dokumentacionit tenderues për t’u zbardhur e vërteta se si pikërisht nga gjithë kompanitë aplikuese në tender, u arrit që tenderin prej 1.8 milion eurove ta fitoj pikërisht kompania donatore e BDI-së.
Institucionet përgjegjëse janë të obliguara pas këtyre informacioneve dhe dëshmive, urgjentisht dhe seriozisht të veprojnë duke punuar në ndriçimin e rastit pa u ndikuar nga presionet politike që e vërteta e këtij mega tenderi dyshues dhe simptomatik që përmban elemente të një afere korruptive të sqarohet në tërësi!” – tha përmes pres konferencës për media Hasim Murtezani nga Lëvizja BESA. /KlanMacedonia/