Lëvizja Besa ka reaguar edhe sot në lidhje me skandalin në M-NAV ku Bekim Neziri i BDI-së dyshohet se bashkë me disa persona tjerë kanë sulmuar të punësuarit në Kullën e kontrollit ajror, përcjell KlanM. Nga Lëvizja Besa thonë se BDI po përpiqet të mbrojë Bekim Nezirin, i cili ka qenê ish ministër dhe aktualisht është kryetar dege i BDI-së në Çair.
“Sa më shumë që BDI dëshiron të shitet si parti “pro Evropiane” aq më shumë dëshmohet se është pro krimit dhe korrupsionit. Për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin, janë në gjendje që të shkatërrojnë edhe institucionet të cilat mbrojnë sigurinë ajrore ndërkombëtare, siç është rasti me sulmin në Kullën e Kontrollit të Aviacionit Civil. Në vend që BDI urgjentisht të largojë nga partia dhe nga çdo funksion Bekim Nezirin, ajo vetëm distancohet nga veprimi i tij, duke u përpjekur ta mbrojë. Në vend që BDI të veprojë për shkarkimin e të gjithë drejtorëve në M-NAV ajo hesht dhe tenton ti shpëtojë ata, edhe pse tre ditë më parë u vendosën në rrezik rreth 30 aeroplanë dhe qindra udhëtarë”, thonë nga Lëvizja Besa.
Siç tha në një dalje para mediave, Lulzime Ameti, zëdhënëse e Lëvizjes Besa, BDI-së më shumë i interesojnë rrogat e majme të funksionarëve sesa siguria e qytetarëve.
“BDI-së nuk i interesojnë as qytetarët, as siguria në institucionet që janë të lidhura ndërkombëtarisht siç është M-NAV, por i interesojnë vetëm pozitat ku ushtarët e saj marrin paga të majme dhe tenderë. BDI sot po e mbron Bekim Nezirin i cili nga M-NAV merr 3 mijë euro rrogë, edhe pse mediat shkruajtën se shtatë vite nuk ka shkuar në punë. BDI mbron drejtorin tjetër të M-NAV Hasim Deari sepse edhe ai merr 3 mijë euro rrogë. BDI mbron edhe Fahrudin Hamidin, sepse nga M-NAV ai merr 4 mijë euro rrogë. Dhe të tre këto persona që nga M-NAV, bashkë marrin 10 mijë euro në muaj për interesat e tyre personale dhe partiake, janë në gjendje që në objektin e kontrollit të fluturimeve të shkaktojnë arenë boksi dhe të rrezikojnë fluturimet ndërkombëtare”, deklaroi Ameti nga Lëvizja Besa.
Lëvizja Besa i bên thirrje BDI-së që urgjentisht ta shkarkojë Bekim Nezirin nga çdo pozitë partiake, bashkë me shkarkimin edhe të dy drejtorëve të M-NAV, Fahrudin Amiti dhe Hasim Deari./KlanMacedonia