Përderisa në njërën anë qeveritarët në Maqedoninë e Veriut flasin për kinse “suksese dhe perspektivë” në lëmin e ekonomisë, në anën tjetër të rinjtë, sidomos ata shqiptarë, nuk shohin asçfarë perspektivë, ndaj në kërkim të një ardhmërie më të mirë ata marrin rrugën drejt perëndimit – thonë nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit.
Ikja e të rinjve, sipas LD-së, gjithnjë e më shumë po bëhet e dukshme në vend. Nga kjo parti thonë se largimi nga shtëpia, në traditën e shqiptarëve, është një segment i dhimbshëm, sepse, siç thuhet në reagim, është hapi i fundit pas përpjekjeve për të gjetur zgjidhje tjera, përcjell KlanM.
“Të shtunën stacionet e autobusëve (por edhe Aeroporti i Shkupit) janë të mbushura përplot me familjarë, të cilët përcjellin fëmijët e tyre që kanë bileta njëdrejtimëshe. Është një pamje tepër tronditëse, një pamje e cila pasqyron dështimin e një qeverie, e cila mendon vetëm për perspektivë e anëtarëve të vet dhe të familjeve të tyre. Kot apelon BDI për të aplikuar të rinjtë tanë për të punuar në ndërtimin e korridoreve. Për plotësimin e 2000 vende pune mezi u paraqitën 300 të interesuar, sepse forca e punës po derdhet me të madhe jashtë Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e LD-së.
Kjo ikje masive, sipas LD-së, ka bërë që të zbrazen vendbanimet shqiptare, ka bërë që në përmasa alarmante të bie numri i nxënësve, të mbyllen shumë shtëpi e të hapen shumë plagë shpirtërore.
“E gjithë kjo është pasojë e keqqeverisjes, e padrejtësisë, e korrupsionit, e pasigurisë, e paperspektivës, e mungesës së moralit, e kapjes së shtetit, e vjedhjes dhe hajnisë! Ndaj ikjet e të rinjve nuk do të pushojnë, siç nuk do të pushojnë as edhe autobusët dhe aeroplanët, që i çojnë këta të rinj të dëshpëruar në vendet e Perëndimit, ku shpresojnë se do të gjejnë një jetë më të dinjitetshme”, përfundon reagimi i Lëvizjes Demokratike./KlanMacedonia